Mos e prekni kishën në kampusin e UP-së


Kisha e papërfunduar ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe fati i këtij objekti zgjojnë interesim të madh në shoqërinë kosovare. Pothuaj secili e ka një version të vetin se si duhet vepruar me kishën, të gjitha këto propozime me karakter të intervenimit fizik, nga rrënimi e deri te shndërrimi i saj në hapësirë muzeale. Qëllimi i këtij shkrimi është të argumentojë qasjen e mosndërhyrjes fizike në objektin e kishës, dhe shkon përtej argumenteve pronësore e të dokumentacionit ligjor (leja e ndërtimit), për ç’gjë ekziston një kontest gjyqësor në zhvillim e sipër.

Cili është identiteti urban i Prishtinës?
Diskutimi mbi këtë kishë si rast i izoluar paraqet vazhdimësi të qasjes parciale ndaj hapësirës publike të Prishtinës. Në gjithë këto vite të pasluftës, debati publik – ndonëse rëndom i kufizuar – ka qenë i orientuar në trajtimin veç e veç të rasteve mbi ndërtesat publike, sheshet, infrastrukturën, memorialet dhe elementet tjera përbërëse të hapësirës publike. Ndër rastet më të ndieshme të kësaj periudhe kanë qenë katedralja katolike, xhamia e re, sheshet qendrore të qytetit, hotel Unioni, qendra historike dhe të ngjashme. Asnjëherë deri tani, banorët e Prishtinës nuk e kanë zhvilluar diskutimin mbi Prishtinën që ata e dëshirojnë. Pyetjet si “çfarë identiteti duhet të ketë qytetit”, “si ndikon hapësira publike në formësimin e identiteteve partikulare”, “cili duhet të jetë balanci mes sekulares dhe fetares në hapësirën publike” vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qartë.

Si ilustrim, të marrim shembullin e katedrales katolike në qendër. Si u bë që një shkolle publike, që përfaqësonte një histori të rëndësishme sociale dhe kujtesë kolektive të qytetit, të rrënohet me aq lehtësi dhe pa kurrfarë debati publik, për t’i krijuar hapësirë një objekti fetar. Dhe kjo nuk është e vetmja periudhë e paqartësisë urbane në qytet. Së paku nga përfundimi i luftës së dytë botërore, Prishtina është në transformim të përhershëm. Nga interpretimet moderniste të periudhës së socializmit, te post-modernja e viteve të 70-ta që synoi rikthimin e së vjetrës orientale, nga vitet e okupimit që e zhvendosi në margjina të hapësirës publike gjithçka që nuk ishte sërbe, deri te kaosi urban i ndërtimeve pa leje të pas vitit 1999, Prishtina me dekada është duke e zhvilluar betejën e gjetjes së vetvetes.

Prandaj, paralelisht me diskutimet për rastet e veçanta, shoqëria ka nevojë për një diskutim demokratik mbi identitetin e Prishtinës. Dhe, pa një vizion më të gjerë mbi hapësirën publike të qytetit si burim identitetesh, çdo zgjidhje e prodhuar për rastet e veçanta, si ai për kishën në kampusin e UP, rrezikon të prodhojë pasoja degraduese.

90-tat e aparteidit në hapësirën publike
Dekada e okupimit sërb të Kosovës nën regjimin e Millosheviçit u manifestua edhe me zaptimin e hapësirës publike të qyteteve të Kosovës, dhe Prishtina nuk bënte përjashtim. Ndërtimi i një objekti kishtar në hapësirën e Universitetit të Prishtinës ishte manifestim i politikës së dominimit dhe aparteidit. Ky akt përbënte sulm të drejtpërdrejtë në vetë qenien dhe rrugën e emancipimit të një shoqërie, pra në sistemin e arsimit, që veç tjerash kishte edhe funksion të rezistencës politike ndaj regjimit shtypës të Millosheviçit. Ndërtimi i kishës ishte projekt i përbashkët i shtetit sërb dhe Kishës Ortodokse Sërbe që synonte të ndërhyjë edhe fizikisht në sistemit arsimor të Kosovës. Nuk ka asnjë dilemë që kjo kishë nuk ka asnjë element fetar e shpirtëror dhe kryekëput është intervenim politik, pjesë e një ndërmarrje më të madhe të dhunës së shtetit sërb ndaj shoqërisë kosovare.

Kujtesa dhe harresa kolektive
Pikërisht për arsyet që u përmendën më lart, ne duhet ta ruajmë kujtesën për këtë kishë dhe ta përcjellim tutje gjithë narracionin politik rreth saj. Ky objekt paraqet dëshminë më të qartë fizike të një prej periudhave më të vështira të shoqërisë tonë. Dhe është obligim i yni që narracionin që fshihet brenda mureve të kësaj kishe t’ua bartim gjeneratave të ardhshme. Prandaj edhe objektin duhet ta lëmë ashtu si është, të papërfunduar, të ndërprerë. Njëjtë si projekti i dhunës politike i Sërbisë për spastrim etnik që ka mbetur i papërfunduar, i ndërprerë. Përveç simbolikës, për t’i dhënë asaj hapësire edhe një funksion komunitar, kopshti përreth këtij objekti mund të rregullohet dhe të shndërrohet në një hapësirë mikpritëse për qytetarët. Gjithashtu, kisha mund të nominohet edhe për Listën e Trashëgimisë Kultirore dhe t’i ofrohet mbrojtje ligjore. Ta ruajmë atë si shoqëri dhe si shtet si një sajt të kujtesës (memory site), ashtu si ruhen sajtet e Holokaustit, apo copëza të murit të Berlinit, apo të ngjashme.

Edhe ashtu, ne i kemi zhdukur pothuaj të gjitha dëshmitë dhe gjurmët fizike të rezistencës paqësore dhe luftës së fundit. Rreziku më i madh i harresës kolektive është mundësia për të mos nxjerrë mësime nga e kaluara shkatërruese, që shpesh rezulton me përsëritje të së keqes. Kisha le të mbetet aty ku është dhe ashtu si është dhe le të na shërbejë si një përkujtues i bukur dhe i shëmtuar në të njëjtën kohë se nëpër çka kemi kaluar si shoqëri. Si përkujtues i asaj që na kanë bërë dhe që ne nuk duhet t’ia bëjmë të tjerëve.

Qendra historike e parkingjeve ilegale


Mbi 90 përqind e lejeve urbanistike nuk janë respektuar brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Me këtë statistikë, çdo lloj arsyetimi e zotimi që vjen nga institucionet për mbrojten e trashëgimisë kulturore nuk është tjetër pos përpjekje e dëshpëruar për manipulim me opinionin publik. Prizreni është zonë e kriminalitetit të lartë urbanistik dhe kushdo që pretendon të kundërtën është ose i paaftë për të kuptuar realitetin ose mashtrues i qëllimtë.

Para disa ditësh, në zonën e mbrojtur të qytetit ngjau edhe një rrënim pa leje dhe ajo hapësirë e liruar shpejt u shndërrua në parking. Ky është edhe një rast tipik i shkeljes së disafishtë – pa pëlqim të autoriteteve të trashëgimisë kulturore, pa leje urbanistike për rrënim dhe pa leje për ushtrim të veprimtarisë afariste. Për vetëm pak vite, zona historike e qytetit është vërshuar nga parkingjet ilegale. Në hapësirat ku dikur ishin shtëpitë e vjetra dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore të qytetit, sot operojnë dhjetëra parkingje ilegale.

Rasti i fundit ka ndodhur për shkak se rasti i parafundit ka kaluar pa asnjë pasojë. Dhe ai i parafundit është thirrur në ato të mëhershmet. Tashmë të gjithë e dijnë, dëmtimi i trashëgimisë kulturore nuk prodhon asnjë ndëshkim. Ndonëse paraqet vepër të rëndë penale, të dënueshme me burgim dhe gjoba marramendëse, dhe përkundër raportimit për dhjetëra raste të dëmtimeve, deri sot nuk ekziston asnjë vendim i plotfuqishëm gjykate për t’i dënuar keqbërësit.

Nga një zonë me potencial për të konkurruar trashëgiminë botërore, ajo ka degraduar në një qendër historike të parkingjeve dhe hoteleve ilegale. Aplikimi i ardhshëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është larg dhe tashmë koha punon kundër nesh. Prizrenin duhet ta shpëtojmë, pasi ai do të jetë një nga argumentet tona më të fuqishme në rrugën drejt UNESCO-s.

Milionat që nuk po e ndalin degradimin e trashëgimisë


Qendra Historike e Prizrenit është e degraduar në një masë të frikshme. Nësë e përdorim analogjinë e situatave të konfliktit për trashëgiminë kultutore, Qendra Historike i ngjan një zonte lufte. Paradoksalisht, qendra e qytetit ka numër tejet të madh mekanizmash ligjor e institucional që synojnë mbrojtjen e saj. Prej ligjit të veçantë të miratuar nga Kuvendi, Planit të Konservimit të miratuar nga Komuna, Task Forcës së qeverisë qendrore për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e deri te Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Këshilli për Trashëgiminë Kulturore, kjo qendër posedon një mori garancash. Por, edhe përkundër kësaj, zona e parë e qytetit vazhdon të pësojë nga aktivitetet degraduese, si rezultat i veprimit të grupeve të fuqishme ekonomike dhe neglizhencës vepruese nga institucionet. Për ta bërë këtë situatë edhe më të rëndë, as investimet milionëshe të buxhetit të shtetit dhe donatorëve ndërkombëtarë për restaurimin e monumenteve të trashëgimisë nuk po e ndalin trendin e degradimit.

Në hulumtimin e fundit të organizatës EC Ma Ndryshe është konstatuar se gjatë dekadës së fundit, janë shpenzuar rreth 3 milionë euro në dhjetë projekte restauruese të monumenteve në Prizren. Për fat të keq, kjo shumë marramendëse e investuar në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ka prodhuar vetëm realitetin e dyerve të mbyllura. Në total, këto dhjetë monumente të restauruara i kanë dyert e mbyllura për vizitorë dhe komunitetin lokal afro 350 muaj. Rrjedhimisht, edhe përfitimi nga aktiviteti eventual ekonomik i këtyre monumenteve është 0 euro. Përveç dobisë ekonomike, këto monumente të mbyllura nuk po i shërbejnë as qëllimeve jo-ekonomike të trashëgimisë kulturore. Përfundimisht, këto investime nuk kanë arritur të prodhojnë rezultat të dëshiruar dhe domosdoshmërisht imponojnë nevojën për të rimenduar qasjen. Shpenzimi i parasë së taksapaguesit vendor ose të një shtetit tjetër duhet të ndjekë një logjikë të artikulimit të ndikimit të dëshiruar. Edhe në praktikën e mirë botërore, intervenimi fizik për qëllime të mbrojtjes së monumenteve, nuk është rezultat e ndikim i mjaftueshëm. Për arsye se, një monument i restauruar, por që rri i mbyllur dhe nuk e integron komunitetin, përbën një investim të vdekur dhe i kontribuon degradimit të mëtejshëm të atij monumenti.

Në mesin e këtyre dhjetë monumenteve të restauruara viteve të fundit ka edhe raste tejet groteske. Disa nga këta shembuj janë Hamami i Gazi Mehmed Pashës, ndërtesa e Kuvendit të vjetër – Beledija, Selamllëku i Shani Efendiut dhe Shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut. Në rastin e Hamamit, institucionet e patën nisur restaurimin pa i siguruar të gjitha fondet e nevojshme dhe si pasojë punimet u patën ndërprerë në fund të vitit 2014. Prej asaj kohe, monumenti vazhdon të mbetet i cënueshëm ndaj faktorëve të jashtëm dhe në dy raste të identifikuara deri tani atij i është vjedhur plumbi nga kupolat. Në rastin e Beledijes, një intervenim restaurues me fonde ndërkombëtare kishte për synim funksionalizimin e ndërtesës si Qendër e parë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Sot, këtë ndërtesë e shfrytëzon Drejtoria e Turizmit e Komunës së Prizrenit dhe ajo asnjëherë nuk ka funksionuar si qendër e trashëgimisë. Në një rast tjetër, kishin investuar dy donatorë të ndryshëm ndërkombëtar, njëri intervenim me qëllim restaurimi dhe tjetri me qëllim themelimin e një zyre informative për turistët. Edhe pse e pajisur plotësisht me inventar dhe me publikime promovuese, kjo zyre informative qëndron e mbyllur për afër shtatë muaj, si pasojë e paaftësisë së komunës për të punësuar personel. Edhe rasti i Shtëpisë së Shuaip Pashë Spahiut është dështim i llojit të vet. Përveç problemeve të pronësisë, atij i janë dhënë destinime të ndryshme, ndërsa i fundit ishte ai për të akomoduar Akademinë Diplomatike të Kosovës. Kjo shtëpi, që nga përfundimi i punimeve, asnjëherë nuk i ka hapur dyert, ndërsa me kohë, asaj i janë dëmtuar pjesë të caktuara të fasadës.

Si parakusht themelor, çdo intervenim në monumentet e trashëgimisë kulturore duhet të sigurohet për hartimin e planit të menaxhimit për ta planifikuar fazën e post-intervenimit. Në mesin e këtyre dhjetë monumenteve të restauruara, vetëm njëri prej tyre posedon plan menaxhimi. Paralelisht me realizimin e punimeve restauruese, duhet të krijohen grupe punuese për hartimin e planeve të menaxhimit dhe planifikimin e funksionalizimit të monumentit. Fokusi kryesor i donatorëve, qofshin vendor apo ndërkombëtar, duhet të jetë në përfshirjen e komunitetit për mbajtjen gjallë të monumenteve, qoftë në formë të vizitave të turistëve, zbatimit të programeve edukative, krijimit të hapësirave muzeale apo edhe krijimit të hapësirave të shfrytlzueshme për nevojat e komunitetit lokal. Për më tepër, programimi i fondeve që synojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet t’i përgjigjet një plani të përgjithshëm të nevojave dhe prioriteteve në trashëgiminë kulturore, duke e ndërprerë praktikën e deritashme të veprimeve ad-hoc dhe të pakoordinuara.

Qendra Historike e Prizrenit ka nevojë për shumë investime në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Por, asaj përfundimisht nuk i duhen milionat e çuar huq që prodhojnë monumente të mbyllura. Trashëgimia kulturore dhe turizmi janë potenciale reale zhvillimore të Prizrenit, ashtu si konstatohet edhe me Planin Zhvillimor të Komunës. Dhe për të përfituar nga ky potencial, fokusi i fondeve duhet të shkojë përtej intervenimit fizik në monumente.

Vdekje qytetit


Qytetet e Kosovës janë në transicion të përhershëm, së paku nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Transformimi i parë drastik i qyteteve ka ndodhur si pjesë e projektit jugosllav. Atë kohë, e vjetra kryesisht otomane shihej si e papërshtatshme për interpretimin ideologjik të sistemit. Si pasojë, bërthamat e qyteteve (çarshitë, zonat historike) iu nënshtruan një procesi të retushimit fizik për të ndërtuar “të renë”. Ndërtime të reja dhe të larta (kryesisht të stilit modernist), skulptura universaliste, rrugë të gjëra të asfaltuara dhe të ngjashme e rikrijuan hapësirën publike me qëllim të shlyrjes së një pjese të kujtesës dhe ndërtimit të një rrëfimi të ri ideologjik.

Më pas, në periudhën e autonomisë u shfaqën përpjekjet e para për të kthyer atë pjesë të sulmuar të kujtesës. Përmes planeve urbane për qendrat historike u vendosën disa parime post-moderniste mbi trajtimin e qytetit. Për herë të parë në Kosovë u artikulua nevoja për rikthimin ose revitalizimin e zonave historike të qyteteve. Të gjitha këto mbetën vetëm dëshira të projektuara mbi letër, pasi që politikisht vendi po hynte në periudhën e turbulencave të fundviteve 80. Dekada që do të pasonte do të sillte një tjetër goditje për qytetet e Kosovës, nën masat e dhunshme të okupimit. Luftës së viteve 98-99 që shkatërroi pjesë të tëra të qyteteve i kishte paraprirë një periudhë e gjatë e neglizhencës totale ndaj qyteteve, duke e sulmuar në veçanti trashëgiminë kulturore.

Dhe paslufta. Koha e administrimit ndërkombëtar dhe e instalimit të një kleptokracie vendore, të dyja totalisht të painteresuara për t’i mbrojtur qytetet. Një ndërhyrje e egër dhe e pamëshirshme ndaj gjithçkaje që kishte mbetur. Ndërtime të reja e mbindërtime gjithkund dhe pa kurrfarë kriteri. Projekte të mëdha infrastrukturore pa kurrfarë ndieshmërie ndaj mjedisit jetësor. Rrënim i monumenteve të trashëgimisë kulturore për të krijuar hapësira të reja komerciale. Zaptim i hapësirës publike dhe privatizimi i të gjitha të mirave publike.  

Të gjitha këto faza të transformimeve i kanë lënë qytetet tona pa identitet. Ato janë shndërruar në prenë më të lehtë të njërës apo tjetrës elitë politike e ekonomike. Ne përfundimisht e kemi humbur betejën për t’i shpëtuar qytetet tona. Ndonëse elitat dallojnë njëra prej tjetrës, ajo që mbeti e njejtë nga LIIB është heshtja dhe nënshtrimi ynë ndaj çdo intervenimi mbi qytetet tona. Shikuar nga kohëzgjatja e fazave të deritanishme të transformimeve, i bie që jemi diku nga fundi i fazës së fundit. Keni ndonjë prognozë, cila do të jetë ndërhyrja e rradhës?

Dhjetë arsye për të mos e vizituar Prizrenin


Prizreni është qytet i tolerancës. Është vend ku shtëpi të vjetra rrënohen dhe shndërrohen në vendparkingje, kalldrëmi zëvendësohet me asfallt, e gjelbërta me rrasa, e qerpiqi me tulla. Zona historike e qytetit është përplot me ndërtime pa leje, ndërsa hapësira publike e ngufatur me tavolina e karrige. Ku edhe milionat e shpenzuar për restaurime të monumenteve kanë prodhuar më shumë degradim, ndërsa edhe ato pak hapësira kulturore gjenden në listën e privatizimit. Prizreni është qytet që investon më pak se një euro për kokë banori në kulturë dhe ku prokurorët pinë kafe në hotelet e ndërtuara pa leje. Është vend ku inspektorët rrënojnë baraka në lagjet periferike, derisa në qendër të qytetit nuk guxojnë as të kontrollojnë decibelat e muzikës së diskotekave. Më e keqja, i gjithë ky krim mbi kulturën dhe qytetin ndodh dhe kalon në heshtje të plotë. Qyteti sot manifeston nivele të frikshme tolerance ndaj krimit, shkatërrimit dhe tjetërsimit.

Mungesën e aftësisë për të reaguar dhe vepruar kundër shkatërrimit të qytetit e kemi zëvendësuar me rrëfimin mbi bukurinë e qytetit. Lista me arsyet pse duhet vizituar Prizreni, epitete të lavdishme që thirren në lashtësi e civilizim, toleranca e fryrë fetare, qebapa, festivale, çaj rusi... Një rrëfim i rrejshëm si përpjekje për të mbuluar turpin e heshtjes. Një lloj mohimi i realitetit, si mekanizëm ballafaqimi dhe si vetëmashtrim. Me ose pa vetëdije kemi rrëshqitur në diskursin më dominant të dekadës së fundit në Kosovë, atë të imazhit. Një përpjekje e pasinqertë për të promovuar atë që nuk e ke, gjithmonë duke i fshehur të metat. Prizreni është shembull adekuat për të kuptuar potencialin shkatërrues të rrëfimit të rrejshëm mbi të bukurën. Një qytet i tërë vazhdon të mbetet peng i këtij rrëfimi, i cili e neutralizon krimin dhe e mbyt aktivizmin.

Prizreni nuk është qytet i kulturës. Për të shpëtuar qytetin, fillimisht duhet ta pranojmë këtë realitet. Dhe pastaj të konfrontohemi me të keqen. Përndryshe, nga togfjalëshi “qytet i kulturës”, përveç cilësorit “kulturor”, rrezikojmë ta humbim edhe statusin “qytet”.

#perLumbardhin


Në vitin 2007 qeveria lokale e Prizrenit po i bënte matjet e fundit teknike para rrënimit të Kino Lumbardhit. Organizimi i shpejtë i skenës së pavarur kulturore në Prizren, e përkrahur nga shumë qytetarë atë kohë, e kishte shpëtuar përkohësisht ndërtesën e kinos nga rrënimi. Ndërkohë, pasuan vitet e heshtjes dhe mosinteresimit, ndërsa të vetmet ngjarje që e mbanin gjallë disi kinon ishin festivalet e kulturës. As edhe më i vogli kujdes institucional për gjithë këto vite e kishte degraduar keq monumentin, derisa në korrikun e këtij viti u lajmërua një institucion i shtetit. Për fat të keq, ishte Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Këtë herë mobililizimi i shoqërisë civile i tejkaloi përmasat e vitit 2007. Iniciativa për mbrojtjen e kinos nuk e bashkoi vetëm skenën e pavarur të kulturës, por edhe organizatat e tjera të shoqërisë civile. Më e rëndësishmja, jo vetëm ato të Prizrenit, por 58 organizata të shoqërisë civile nga krejt Kosova. Ky nivel i mobilizimit ishte i domosdoshëm, pasi që privatizimi eventual nënkuptonte humbjen e një nga landmark (shënjues kulturor) më të njohur të qytetit. Në të njëjtën kohë, ky bashkim po tregonte edhe një lloj pjekurie të organizatave të shoqërisë civile, të cilët u bashkuan për ta shpëtuar një vlerë të rrezikuar. Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit është antidot për mendësinë që po i shkatërron qytetet tona, e mbi të gjitha kujtesën tonë mbi to.

Reagimi i këtij viti që filloi me protestën gjatë Dokufest dhe vazhdoi me Iniciativën për Lumbardhin prodhoi efekte të shpejta. Komuna e Prizrenit shpalli kinon zonë me interes të përgjithshëm publik dhe kërkoi ndaljen e privatizimit, derisa shpejt pasoi edhe konfirmimi i Ministrisë së Kulturës se kino ka status të mbrojtjes ligjore dhe si e tillë do të jetë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore. Ndërkohë, në krah të organizatave të shoqërisë civile u rreshtua edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Pjesë e iniciativës është edhe peticioni i qytetarëve, ndërsa përveç Prizrenit nënshkrimet janë mbledhur edhe në qytetet tjera të Kosovës. Aktualisht, diskutimi mbi Lumbardhin po zhvillohet brenda një trupi ad-hoc ndër-institucional që po angazhohet për gjetjen e modaliteteve ligjore për t’ia kthyer kinon qytetarëve. Bashkimi i shoqërisë civile ka prodhuar një cilësi të re edhe në angazhimin institucional në Kosovë, duke i sjellë të gjithë rreth tryezës për të krijuar një precedent pozitiv në shtetin që ka humbur qindra monumente këto 15 vite.

Iniciativa për Lumbardhin nuk është vetëm kundër rrënimit, por ka prezantuar edhe plan konkret për menaxhimin e kinos. Me këtë, aktivistët që po angazhohen në mbrojtjen e këtij monumenti, po zotohen edhe për përgjegjësi shtesë. Plani i prezantuar parashesh shndërrimin e Kino Lumbardhit në një hapësirë kulturore multi-funksionale, e cila do të jetë e aftë për të mbajtur veten. Pjesë e këtij zotimi është edhe angazhimi për të mobilizuar burime të nevojshme për intervenime konservuese, të cilat bashkë me planin e menaxhimit do ta kthenin jetën në këtë hapësirë dhe do ta shpëtonin kinon nga degradimi i mëtejmë.

Megjithatë, rreziku nuk ka kaluar ende. Iniciativa për Lumbardhin do t’i vazhdojë përpjekjet deri sa të eliminohen të gjitha paqartësitë dhe kino t’i kthehet qytetarëve. Si shënjues kulturor, Kino Lumbardhi tashmë është shndërruar në ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një zonë, një besim, një kulturë, një qytet dhe një traditë. Mbrojtja e këtyre vlerave është pika që na bashkon të gjithëve në angazhimin #perLumbardhin, i cili do të jetojë dhe #perShoqerineCivile, e cila do të bëhet.

Qyteti pa hapësirë publike


Prizreni është qytet i kapur. Prapa fasadës së “bukur” historike e kulturore të tij fshihet një “twilight zone”. Brenda kësaj zone veprojnë grupe të organizuara që publiken e shohin si mundësi për përfitime personale. Janë grupe e individë që publiken e kanë shndërruar në private, në dëm të qytetit. Ata e dinë mirë se sa më i varfër qyteti, aq më të pasur ata, dhe anasjelltas. Qyteti i zhvilluar është ankthi i tyre më i madh. Prandaj, bëjnë çmos për të ruajtur këtë relacion. Deri tani, po ia dalin për mrekulli. Qytetin, vazhdojnë ta mbajnë të ngufatur. Prizreni është qytet i kapur dhe po mbahet i tillë dhunshëm. Prizreni është qytet pa hapësirë publike, mbi të cilin po ushtrohet dhunë në mënyrë sistematike.

Akti fillestar i dhunës mbi qytetin ndodhi në kohën e rindërtimit dhe sanimit të dëmeve fizike të luftës së fundit. Një kastë injorante politike kishte ndarë mendjen për të “modernizuar” qytetin. Vendimi ishte i prerë, kalldrëmi do të largohej nga rrugët e qytetit dhe vendin e tij do të zinte asfalti. Me largimin e gurëve mbi të cilët është gdhendur historia e qytetit kishte filluar procesi i shlyrjes së kujtesës. Këto ishin faqet e para të rrëfimit të ri për qytetin. Për shpëtimtarët e ri të qytetit, ata të vërtetit. Dhe për orientimin e ri të qytetit, atë “Europian”. Rradhën e kishin ndërtesat, të cilat ishin përkujtuese se qyteti kishte traditë kulturore edhe para vitit 1999. Një pjesë e tyre u eliminuan në tërësi, ndërsa të tjerat u neglizhuan dhe si pasojë u vetëshkatërruan.

Ndërkohë, grupet kriminale veç kishin filluar t’i akomodonin interesat e tyre afariste, kudo që gjenin një vend të lirë. Kur nuk e gjenin atë hapësirë, e krijonin vetë. Mbindërtime ilegale, rrënime të shtëpive të vjetra për të ndërtuar hotele e zona parkingu, zaptime të zonave të këmbësorëve për të vendosur më shumë tavolina e karrige. Askush nuk i pengonte, e nuk i pengojnë as sot. Sepse ata nuk janë vetëm. Prokurorë shteti e drejtorë komune vazhdojnë të pinë kafe në ato vende, ndërsa detyra e tyre duhej të ishte iniciimi i hetimeve dhe nxjerrja e vendimeve për rrënim. Kultura e mosndëshkimit ishte emri tjetër i kësaj “twilight zone”. Qyteti tashmë ishte dorëzuar, ata ishin zotët e ri të hapësirës publike.

Nuk përfundon me kaq. Manifestimi më i dhimbshëm i dhunës ndaj qytetit ndodh me paranë publike. Politika e qytetit nuk është ndalur asnjë moment të investojë në projekte të infrastrukturës, duke sjellur interpretime nga më të çoroditurat në hapësirën publike. Sheshe betoni duke i prerë drunjtë, ura të reja me arkitekturë morbide, fontana në formë topthash, restaurime të monumenteve me materiale të huaja. Dhe të gjitha këto pa e pyetur askënd. Një numër i vogël individësh, brenda dhe jashtë qeverisë së qytetit, e nganjëherë edhe brenda edhe jashtë, janë shndërruar në pronarë të hapësirës publike. Ata i bashkon dhe i mban të fuqishëm tenderi.  

Kapja e qytetit e ka larguar qytetarin nga hapësira publike. E shumta që mund të bëjnë sot qytetarët është të pinë kafe në hapësirën publike të qytetit. Gjithçka tjetër është e ndaluar dhe i takon dikujt tjetër. Në vend se të jenë pjesëmarrës direkt në bërjen dhe ruajtjen e kësaj hapësire, qytetarët janë shndërruar në habitues pasiv që i nënshtrohen diktatit të të fortëve injorantë. Para syve të tyre, qyteti është transformuar në diçka që që as vetë nuk e njohin. Kujtesa e tyre për qytetin është sulmuar në mënyrën më brutale të mundshme. Prizreni është shembulli më i dhimbshëm i humbjes së më të vlefshmes për qytetarin. Me këtë, qytetarët janë shndërruar në të huaj në vendin e tyre, që qytetin e përjetojnë vetëm si hapësirë për kryerjen e nevojave utilitare të përditshmërisë. Me humbjen e hapësirës publike, në Prizren po humb edhe nocioni i së mirës së përbashkët.

Jo rrallë herë është tentuar të çkapet qyteti dhe të rifitohen hapësirat publike. Përpjekjet vazhdojnë edhe sot, por ato mbeten të pamjaftueshme dhe shpesh margjinale. Për fat të keq, e tëra ka marr formën e një beteje mes dy mendësive. Njërës, që e dashuron qytetin dhe tjetrës, që e zhvat ate. Derisa të parët flasin për hapësirën publike si e mirë e përbashkët, të dytët e shohin si mundësi për përfitime personale. Ne flasim për kujtesën, demokracinë dhe mirëqenien, e ata për narrativin çlirimtar, kleptokracinë dhe paranë.

Rezistenca ndaj kapjes duhet të forcohet dhe të zhvillohet në çdo cep të hapësirës publike. Nëse rezultatet nuk mund të arrihen shpejt, duhet të synojmë nga një metër katror çkapje të hapësirës publike në ditë. Dhe kështu, hap pas hapi deri në kthimin e qytetit te qytetarët. Një rast inkurajues është organizimi qytetar për të shpëtuar Kino Lumbardhin, një tjetër hapësirë publike që u kanos nga privatizimi dhe apetitet tjera gllabëruese. Iniciativa për ta mbrojtur Lumbardhin dhe për ta kthyer atë në shërbim të qytetarit është model që duhet replikuar edhe në pjesët tjera të qytetit.

Reagimi që filloi me protestën gjatë Dokufest dhe vazhdoi me Iniciativën për Lumbardhin prodhoi efekte të shpejta. Komuna e Prizrenit shpalli kinon zonë me interes të përgjithshëm publik dhe kërkoi ndaljen e privatizimit, derisa shpejt pasoi edhe konfirmimi i Ministrisë së Kulturës se kino ka status të mbrojtjes ligjore dhe si e tillë do të jetë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore. Pjesë e iniciativës është edhe peticioni i qytetarëve, ndërsa përveç Prizrenit nënshkrimet janë mbledhur edhe në qytetet tjera të Kosovës. Aktualisht, diskutimi mbi Lumbardhin po zhvillohet brenda një trupi ad-hoc ndër-institucional që po angazhohet për gjetjen e modaliteteve ligjore për t’ia kthyer kinon qytetarëve. Bashkimi i shoqërisë civile ka prodhuar një cilësi të re edhe në angazhimin institucional në Kosovë, duke i sjellë të gjithë rreth tryezës për të krijuar një precedent pozitiv në shtetin që ka humbur qindra monumente dhe ka degraduar hapësirën e vet publike këto 16 vite.

Hapësirën publike, e cila po na mohohet duhet ta rikthejmë vetë, sepse ne jemi publiku. Në të kundërt, do të vazhdojmë ta paguajmë haraçin për shfrytëzimin e hapësirës tonë.

Profesionistëve të trashëgimisë kulturore


Kur u zgjuam një mëngjes, Kalasë iu kishin rritur muret, xhamisë së Sinan Pashës iu ishte shtuar një pjesë përpara, kroit të Shadërvanit ia kishin vendosur një top përmbi, muret e kupolave të Hamamit ishin veshur me një material të ri, shtëpia e vjetër e Shaip Pashës dukej super e re. Na thanë që, të gjitha këto, në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. I përdorën edhe disa terma profesionalë për të treguar se çfarë teknikash e metodash kishin përdorur.  E ne nuk e njohëm qytetin tonë.

Profesionistë të trashëgimisë kulturore, pasi e keni marrë guximin të transformoni Prizrenin duke u thirrur në kompetencën tuaj profesionale, edhe unë po e marr guximin të ju them disa fjalë duke u thirrur... Në asgjë në fakt, vetëm po e shpreh pakënaqësinë time me punën dhe qasjen tuaj.

1.
Para se të ndërmerrni çfarëdo veprimi (intervenimi) në monumentet e trashëgimisë kulturore, pyetni qytetarët për mendimet dhe vizionet e tyre. Monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë lodrat tuaja personale, me të cilat mund të bëni çfarëdo që ju teket. Sado profesionistë, ekspertë e shkencorë që të jeni.

2.
Trashëgimia kulturore është pjesë e identitetit kulturor e shoqëror të secilit qytetar. Prandaj, para se të ndërmerrni çfarëdo intervenimi, kini parasysh që nuk po intervenoni vetëm në një strukturë të ndërtuar, po në vet identitetin e njerëzve. Pjesë qenësore e këtij identieti është edhe kujtesa kolektive për qytetin, e intervenimi në trashëgiminë kulturore është edhe sulm direkt mbi kujtesën e qytetarëve për qytetin. Është sulm mbi mënyrën si ne duam ta njohim e kujtojmë qytetin tonë.

3.
Teknikat dhe metodat e juaja të restaurimit, sado shkencore të jenë, nuk guxojnë të vendosen mbi njerëzoren. Në fund të fundit, vetë shkenca ka për qëllim t’i shërbejë humanes (njerëzores) dhe jo e kundërta. Një monument i trashëgimisë kulturore ka kuptim, esencë dhe rëndësi vetëm nëse njerëzit që jetojnë në atë hapësirë ia japin këto atribute. Profesionistët e trashëgimisë kulturore duhet t’i përkthejnë besimet, vlerat e vizionet e qytetarëve në teknika e metoda të restaurimit. Monumenti ka kuptim vetëm atëherë kur njerëzit e pranojnë, e duan dhe ndërveprojnë me të. Një monument i restauruar me teknikat e metodat më të avancuara profesionale e shhkencore, por që nuk pranohet nga njerëzit, nuk e meriton të konsiderohet monument.

4.
Pjesa e intervenimit nga profesionistët është vetëm njëri element (dhe jo kryesori) i mbrojtjes, intervenimit dhe menaxhimit të një monumenti të trashëgimisë kulturore. E kundërta e kësaj nënkupton zaptim të monumenteve nga profesionistët dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Trashëgimia kulturore është e drejtë dhe nevojë elementare njerëzore, ndërsa profesionistët duhet të jenë në shërbim të jetësimit të këtij parimi.

5.
Ju as nuk po i pyetni për mënyrën e intervenimit, e as nuk po i informoni derisa po i kryeni intervenimet në monumentet e trashëgimisë kulturore. Në fund, qytetarët po vendosen para aktit të kryer, pa asnjë mundësi për të shprehur qëndrimet e tyre. Sado profesionistë e shkencorë të jeni, nuk keni të drejtë të tjetërsoni identitetin e qytetarëve pa u konsultuar me ta. Nuk guxoni t’iu impononi qytetarëve pamje dhe realitete të reja, pa i pyetur ata. Nuk keni të drejtë t’iu sulmoni qytetarëve kujtesën kolektive, pa e marr mendimin dhe miratimin e tyre. 

6.
Nëse deri këtu, këtë reagim jeni duke e perceptuar si subjektiv, emocional, joprofesional, apo çkado tjetër, të provoj të flas edhe me gjuhën tuaj. Në vitin 2005, komuniteti botëror i trashëgimisë kulturore përfundimisht e vendosi njeriun në qendër të konceptit të trashëgimisë kulturore. Me miratimin e Konventës së Faros mbi vlerën e trashëgimisë kulturore për shoqërinë (Këshilli i Evropës), u pranua që ndërtesa (struktura fizike) nuk përbën esencën e trashëgimisë kulturore. Konventa njeh interesin publik që lidhet me elemente të trashëgimisë kulturore në pajtim me rëndësinë e tyre për shoqërinë. Rrjedhimisht, edhe teknikat dhe metodat e juaja të restaurimit duhet të jenë në shërbim të këtij koncepti, duke e integruar njeriun në zbatimin e tyre mbi një monument të trashëgimisë kulturore.

7.
Konventa e Faros është shumë e qartë kur konstaton se secili person ka të drejtë të angazhohet në trashëgiminë kulturore. Secili person, personalisht apo kolektivisht, ka të drejtë të përfitojë nga trashëgimia kulturore dhe të kontribuojë në pasurimin e saj. Konventa nënvizon nevojën për të përfshirë secilin pjesëtar të shoqërisë në procesin e vazhdueshëm të përcaktimit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Konventa e Faros kërkon reflektim mbi etikën dhe metodat e intervenimit dhe bën thirrje për respektimin e shumëllojshmërisë së interpretimeve. Pra, etika dhe jo vetëm teknikat dhe metodat profesionale. Përfundimisht, Konventa inkurajon secilin person të marrë pjesë në procesin e identifikimit, studimit, interpretimit, mbrojtjes, konservimit dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore. Prandaj, çdo intervenim në monumente pa përfshirjen e njerëzve është shkelje e së drejtës për t’u angazhuar në trashëgiminë kulturore.

Qyteti është i të gjithëve, njëjtë edhe trashëgimia kulturore.

Dy vjet me Ligjin e Prizrenit


Nesër (më 9 korrik) Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit mbush dy vjet. Për këto dy vite janë raportuar me dhjetëra raste të ndërtimeve pa leje dhe dëmtimit të pronave të trashëgimisë kulturore. Kjo vetëm sa e ka rritur bilancin e përgjithshëm të degradimit të qytetit kur këto raste ia shtojmë atyre që kanë ekzistuar para hyrjes në fuqi të ligjit. Prizreni sot është më i shëmtuar se para një viti, më i degraduar se para dy vitesh. Në këtë përvjetor të ligjit, pyetja që vazhdon të jetë aktuale është e thjeshtë: cili ka qenë qëllimi i miratimit të këtij ligji?

Prizreni dhe ligji per qendrën e qytetit janë tregues tipik të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar. Procesi i hartimit dhe miratimit të këtij ligji janë tregim i një shtypjeje brutale të shoqërisë. Kultura e mosndëshkimit dhe mungesa totale e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit. Shoqëria në anën tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të cilave e ka njohur dhe dashuruar qytetin. Transformimi të cilin e ka pësuar qyteti na ka shndërruar në të huaj në vendin tonë. Qendra e Prizrenit sot as për afër nuk i ngjan një qendre historike. Ajo është pasqyra e degjenirimit ku kemi rrëshqitur si shoqëri e shtet.

Dy vite pas, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është asgjë më tepër se një nga ligjet e shumta që janë qëllime në vetvete, e jo mjete për zgjidhjen e problemeve. Dy vite pas miratimit të ligjit, dilemat janë të njëjta. Nëse na u imponua kaq brutalisht, pse sot nuk po zbatohet? Nëse qëllimi paskësh qenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pse qendra e qytetit po degradohet njëlloj si para miratimit? A mos ndoshta duhet të miratojmë edhe një tjetër ligj? Apo mos ndoshta duhet t’i amnistojmë të gjithë ndërtuesit ilegalë që e kanë shkatërruar qytetin?

Deri n
ë 9 korrikun e ardhshëm.

Udhëzues për kandidatët e Prizrenit


Dhjetë pikat e domosdoshme për të qeverisur si duhet me Prizrenin. Sipas meje!

1. Struktura urbane – aktivitetet ndërtimore e kanë transformuar strukturën urbane të qytetit, duke e shndërruar në një vend të shëmtuar. Struktura urbane e qytetit është e rrezikuar skajshmërisht nga  veprimet e paligjshme dhe zhvillimi i pakontrolluar. Duhet të veprohet urgjentisht, duke i ndalur të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe duke i rrënuar të gjitha strukturat që nuk janë në pajtim me ligjin, lejet e ndërtimit dhe pëlqimet.

2. Kultura dhe turizmi – tashmë disa vite me rradhë, aktivitetet kulturore po dëshmohen si promovuese kryesore të turizmit dhe rrjedhimisht të zhvillimit ekonomik. Edhe pse buxheti institucional për kulturën është pothuaj inekzistent, iniciativa e komunitetit kulturor të qytetit është dëshmia më e mirë se me vullnet të pastër dhe punë të palodhshme mund të arrihen efekte pozitive. Duhen krijuar të gjitha kushtet  e domosdoshme (politikat, buxhetin, infrastrukturën) që kultura të sjellë sa më shumë përfitim për qytetin dhe qytetarët.

3. Qendra Historike – Prizreni posedon potencial botëror të trashëgimisë kulturore, por gjendja aktuale e Kalasë, Hamamit e shumë monumenteve tjera është e mjerë. Mungesa e investimeve, kujdesit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore janë dëshmi të mungesës së civilizimit. Kalaja, Hamami dhe një numër i madh monumentesh kanë nevojë për intervenim të menjëhershëm, ndërsa paralelisht duhet zhvilluar edhe studimet për potencialin e Prizrenit karshi UNESCO-s.

4. Shërbimet publike – qyteti po vuan për ujë të pijes, ndër të tjerash. Mohimi i ujit të pijes qytetarëve të një qyteti që gjendet mbi burimet e panumërta të ujit është sa shkelje e të drejtave të njeriut aq edhe amaterizëm i skajshëm. As edhe një ditë më shumë nuk duhet toleruar këtë gjendje, ndërsa paralelisht me ujin, qytetit duhet kthyer edhe pastërtinë, hapësirat e gjelbëruara dhe rendin publik.

5. Natyra – aktivitetit ndërtimore nuk i ka shpëtuar as trashëgimia natyrore e Prizrenit. Betonizimi i mijëra hektarë hapësirave natyrore është shkatërrim i pariparueshëm, ndërsa rasti i Prevallës është shembulli më drastik dhe i dhimbshëm i këtij zhvillimi. Duhet vendosur masa të rrepta ndalimi për aktivitetet degraduese ndaj natyrës, ndërsa Prevallën duhet trajtuar me prioritet.

6. Sporti – Prizreni e ka humbur njërin nga elementet më të forta të identitetit të vet, klubet sportive të qytetit. Liria e Bashkimi tashmë janë klube të papërfillshme, ndërsa në sportet tjera as që ka mbet ndonjë klub që përfaqëson qytetin. Prizreni ka nevojë për një strategji efektive të bashkëpunimit mes institucioneve dhe sektorit privat për t’i kthyer në konkurrencë reale klubet e qytetit.

7. Lumbardhi – nga krenaria e qytetit, lumi është shndërruar në pasqyrën e turpit. Papastërtia, kundërmimi, shtrati i parregulluar dhe të tjera janë reflektim publik i paaftësisë qytetare dhe institucionale për t’u kujdesur për Lumbardhin. Prizreni ka nevojë urgjente për një projekt serioz që do ta shpëtojë Lumbardhin, i cili fundja është arsyeja themelore pse sot ekziston qyteti.

8. Kalldrëmi – në 15 vitet e fundit, Prizreni e ka humbur karakteristikën e vet më të dukshme të të qenit qytet i vjetër. Heqja e kalldrëmit nga rrugët e qytetit ka qenë projekt vrasës ndaj vlerave dhe identitetit të qytetit. Prizreni, para se gjithash, ka nevojë të kthejë frymën dhe atmosferën e vet qytetare, e kjo duhet të fillojë me kthimin e kalldrëmit në të gjitha rrugët që dikur kanë qenë të shtruara me kubëzat magjike.

9. Arsimi dhe shëndetësia – shkollat dhe shtëpitë e shëndetit në Prizren e kanë humbur karakterin themelor të tyre, arsimimin dhe shërimin. Derisa shkollat udhëhiqen nga të emëruar dhe fanatikë partiak, shtëpitë e shëndetit janë përplot me personel që kanë probleme serioze me etikën. Të dyja grupet e institucioneve publike kanë nevojë për njerëz profesional dhe shërbime cilësore.

10. Administrata publike – trajtimi që i bëhet qytetarëve në shërbimin civil të komunës të kujton frikën që të shkaktonin policët dhe doganierët e shteteve fqinje gjatë kalimit të kufijve viteve 90-ta. Ofrimi i shërbimeve të administratës është e drejtë bazike që duhet siguruar çdo qytetari, pa vonesë, pa burrokraci dhe pa arrogancë. Administrata komunale ka nevojë për reformë të thellë personeli dhe sistemi të punës.