Mbi 90 përqind e lejeve urbanistike nuk janë respektuar brenda Qendrës
Historike të Prizrenit. Me këtë statistikë, çdo lloj arsyetimi e zotimi që vjen
nga institucionet për mbrojten e trashëgimisë kulturore nuk është tjetër pos
përpjekje e dëshpëruar për manipulim me opinionin publik. Prizreni është zonë e
kriminalitetit të lartë urbanistik dhe kushdo që pretendon të kundërtën është
ose i paaftë për të kuptuar realitetin ose mashtrues i qëllimtë.
Para disa ditësh, në zonën e mbrojtur të qytetit ngjau edhe një rrënim pa
leje dhe ajo hapësirë e liruar shpejt u shndërrua në parking. Ky është edhe një
rast tipik i shkeljes së disafishtë – pa pëlqim të autoriteteve të trashëgimisë
kulturore, pa leje urbanistike për rrënim dhe pa leje për ushtrim të
veprimtarisë afariste. Për vetëm pak vite, zona historike e qytetit është
vërshuar nga parkingjet ilegale. Në hapësirat ku dikur ishin shtëpitë e vjetra
dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore të qytetit, sot operojnë dhjetëra
parkingje ilegale.
Rasti i fundit ka ndodhur për shkak se rasti i parafundit ka kaluar pa
asnjë pasojë. Dhe ai i parafundit është thirrur në ato të mëhershmet. Tashmë të
gjithë e dijnë, dëmtimi i trashëgimisë kulturore nuk prodhon asnjë ndëshkim.
Ndonëse paraqet vepër të rëndë penale, të dënueshme me burgim dhe gjoba
marramendëse, dhe përkundër raportimit për dhjetëra raste të dëmtimeve, deri
sot nuk ekziston asnjë vendim i plotfuqishëm gjykate për t’i dënuar keqbërësit.
Nga një zonë me potencial për të konkurruar trashëgiminë
botërore, ajo ka degraduar në një qendër historike të parkingjeve dhe hoteleve
ilegale. Aplikimi i ardhshëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është
larg dhe tashmë koha punon kundër nesh. Prizrenin duhet ta shpëtojmë, pasi ai
do të jetë një nga argumentet tona më të fuqishme në rrugën drejt UNESCO-s.
No comments:
Post a Comment