Babadimri në Prizren


Unë besoj në babadimër. Si në vitet e fëmijërisë, më të bukurat ndonjëherë, kur besonim në fuqitë e mbinatyrshme. Atëherë kur pas secilit refuzim të prindërve për dhuratë, e përfytyronim babadimrin magjik dhe jetonim të lumtur. E dinim që dhurata do të vjen një ditë dhe se nuk ka pengesë të patejkalueshme. Besoja në babadimër. Edhe sot kam dëshirë të besoj në babadimër. Me gjasë shumë prej jush në këtë moment po më gjykoni për “babadimrin”, e më pak po ju bën përshtypje “besimi”.
Unë besoj në babadimër dhe kam dëshirë që këtë fundvit babadimri ta vizitojë Prizrenin. Dhe kam vetëm një kërkesë për babadimrin për vitin 2017: të mos rrënohet asnjë monument i trashëgimisë kulturore në qytet.
Ndoshta naivisht, por me besim të thellë, po e imagjinoj një Prizren ku të gjithë pa përjashtim e shijojnë me krenari trashëgiminë kulturore, me shumë xhelozi e ruajnë ate dhe mbi të gjitha përfitojnë nga potenciali i saj për ngritje të standardit të jetesës. Një qytet ku të gjitha institucionet e shtetit e kanë shpallur vitin 2016 si kapitullin e fundit të degradimit të qytetit. Ku viti 2016 që u përmbyll me një monument të rrënuar për muaj dhe që mori edhe një jetë fëmije, shpallet si fundi i një epoke të errët të qytetit. Një qytet ku bizneset i shohin monumentet dhe investimin në to si rrugë të duhur për zhvillim të veprimtarisë afariste. Ku potenciali ekonomik i monumenteve shihet si një nga strategjitë e zhvillimit të qytetit dhe zbutjes së papunësisë. Po e imagjinoj një Prizren ku inspektori komunal e prokurori publik nuk shkruajnë dënime e nuk ngrisin aktakuza, por vetëm parandalojnë dëmtime të monumenteve. Një qytet ku pronarët e shtëpive të vjetra nuk pranojnë me asnjë çmim rrënimin dhe në bashkëpunim me institucionet e shtetit, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset sigurojnë fonde për konservimin e shtëpive të tyre duke i funksionalizuar ato si asete me potencial ekonomik. Një Prizren që pret turistë kulturor gjatë gjithë vitit. Një qytet që investon në rritjen e cilësisë së hapësirave publike, ku qytetarët pa dallim i shijojnë parqet, sheshet, trotuaret, lumin, ajrin e pastër, hapësirat kulturore. Po e imagjinoj një Prizren që jeton në harmoni dhe begati me trashëgiminë e vet kulturore dhe që në momentin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO nominohet për Listën Botërore të Trashëgimisë.
Nuk besoni në babadimër? Së paku besoni në mundësinë për një Prizren më ndryshe. Dhe provoni t’ia shtoni këtij besimi pak dashuri si mëlmesë. Kur bëhen bashkë besimi e dashuria, vjen edhe babadimri.
Naivisht, me besim e dashuri,
H