Mos e prekni kishën në kampusin e UP-së


Kisha e papërfunduar ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe fati i këtij objekti zgjojnë interesim të madh në shoqërinë kosovare. Pothuaj secili e ka një version të vetin se si duhet vepruar me kishën, të gjitha këto propozime me karakter të intervenimit fizik, nga rrënimi e deri te shndërrimi i saj në hapësirë muzeale. Qëllimi i këtij shkrimi është të argumentojë qasjen e mosndërhyrjes fizike në objektin e kishës, dhe shkon përtej argumenteve pronësore e të dokumentacionit ligjor (leja e ndërtimit), për ç’gjë ekziston një kontest gjyqësor në zhvillim e sipër.

Cili është identiteti urban i Prishtinës?
Diskutimi mbi këtë kishë si rast i izoluar paraqet vazhdimësi të qasjes parciale ndaj hapësirës publike të Prishtinës. Në gjithë këto vite të pasluftës, debati publik – ndonëse rëndom i kufizuar – ka qenë i orientuar në trajtimin veç e veç të rasteve mbi ndërtesat publike, sheshet, infrastrukturën, memorialet dhe elementet tjera përbërëse të hapësirës publike. Ndër rastet më të ndieshme të kësaj periudhe kanë qenë katedralja katolike, xhamia e re, sheshet qendrore të qytetit, hotel Unioni, qendra historike dhe të ngjashme. Asnjëherë deri tani, banorët e Prishtinës nuk e kanë zhvilluar diskutimin mbi Prishtinën që ata e dëshirojnë. Pyetjet si “çfarë identiteti duhet të ketë qytetit”, “si ndikon hapësira publike në formësimin e identiteteve partikulare”, “cili duhet të jetë balanci mes sekulares dhe fetares në hapësirën publike” vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qartë.

Si ilustrim, të marrim shembullin e katedrales katolike në qendër. Si u bë që një shkolle publike, që përfaqësonte një histori të rëndësishme sociale dhe kujtesë kolektive të qytetit, të rrënohet me aq lehtësi dhe pa kurrfarë debati publik, për t’i krijuar hapësirë një objekti fetar. Dhe kjo nuk është e vetmja periudhë e paqartësisë urbane në qytet. Së paku nga përfundimi i luftës së dytë botërore, Prishtina është në transformim të përhershëm. Nga interpretimet moderniste të periudhës së socializmit, te post-modernja e viteve të 70-ta që synoi rikthimin e së vjetrës orientale, nga vitet e okupimit që e zhvendosi në margjina të hapësirës publike gjithçka që nuk ishte sërbe, deri te kaosi urban i ndërtimeve pa leje të pas vitit 1999, Prishtina me dekada është duke e zhvilluar betejën e gjetjes së vetvetes.

Prandaj, paralelisht me diskutimet për rastet e veçanta, shoqëria ka nevojë për një diskutim demokratik mbi identitetin e Prishtinës. Dhe, pa një vizion më të gjerë mbi hapësirën publike të qytetit si burim identitetesh, çdo zgjidhje e prodhuar për rastet e veçanta, si ai për kishën në kampusin e UP, rrezikon të prodhojë pasoja degraduese.

90-tat e aparteidit në hapësirën publike
Dekada e okupimit sërb të Kosovës nën regjimin e Millosheviçit u manifestua edhe me zaptimin e hapësirës publike të qyteteve të Kosovës, dhe Prishtina nuk bënte përjashtim. Ndërtimi i një objekti kishtar në hapësirën e Universitetit të Prishtinës ishte manifestim i politikës së dominimit dhe aparteidit. Ky akt përbënte sulm të drejtpërdrejtë në vetë qenien dhe rrugën e emancipimit të një shoqërie, pra në sistemin e arsimit, që veç tjerash kishte edhe funksion të rezistencës politike ndaj regjimit shtypës të Millosheviçit. Ndërtimi i kishës ishte projekt i përbashkët i shtetit sërb dhe Kishës Ortodokse Sërbe që synonte të ndërhyjë edhe fizikisht në sistemit arsimor të Kosovës. Nuk ka asnjë dilemë që kjo kishë nuk ka asnjë element fetar e shpirtëror dhe kryekëput është intervenim politik, pjesë e një ndërmarrje më të madhe të dhunës së shtetit sërb ndaj shoqërisë kosovare.

Kujtesa dhe harresa kolektive
Pikërisht për arsyet që u përmendën më lart, ne duhet ta ruajmë kujtesën për këtë kishë dhe ta përcjellim tutje gjithë narracionin politik rreth saj. Ky objekt paraqet dëshminë më të qartë fizike të një prej periudhave më të vështira të shoqërisë tonë. Dhe është obligim i yni që narracionin që fshihet brenda mureve të kësaj kishe t’ua bartim gjeneratave të ardhshme. Prandaj edhe objektin duhet ta lëmë ashtu si është, të papërfunduar, të ndërprerë. Njëjtë si projekti i dhunës politike i Sërbisë për spastrim etnik që ka mbetur i papërfunduar, i ndërprerë. Përveç simbolikës, për t’i dhënë asaj hapësire edhe një funksion komunitar, kopshti përreth këtij objekti mund të rregullohet dhe të shndërrohet në një hapësirë mikpritëse për qytetarët. Gjithashtu, kisha mund të nominohet edhe për Listën e Trashëgimisë Kultirore dhe t’i ofrohet mbrojtje ligjore. Ta ruajmë atë si shoqëri dhe si shtet si një sajt të kujtesës (memory site), ashtu si ruhen sajtet e Holokaustit, apo copëza të murit të Berlinit, apo të ngjashme.

Edhe ashtu, ne i kemi zhdukur pothuaj të gjitha dëshmitë dhe gjurmët fizike të rezistencës paqësore dhe luftës së fundit. Rreziku më i madh i harresës kolektive është mundësia për të mos nxjerrë mësime nga e kaluara shkatërruese, që shpesh rezulton me përsëritje të së keqes. Kisha le të mbetet aty ku është dhe ashtu si është dhe le të na shërbejë si një përkujtues i bukur dhe i shëmtuar në të njëjtën kohë se nëpër çka kemi kaluar si shoqëri. Si përkujtues i asaj që na kanë bërë dhe që ne nuk duhet t’ia bëjmë të tjerëve.

Qendra historike e parkingjeve ilegale


Mbi 90 përqind e lejeve urbanistike nuk janë respektuar brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Me këtë statistikë, çdo lloj arsyetimi e zotimi që vjen nga institucionet për mbrojten e trashëgimisë kulturore nuk është tjetër pos përpjekje e dëshpëruar për manipulim me opinionin publik. Prizreni është zonë e kriminalitetit të lartë urbanistik dhe kushdo që pretendon të kundërtën është ose i paaftë për të kuptuar realitetin ose mashtrues i qëllimtë.

Para disa ditësh, në zonën e mbrojtur të qytetit ngjau edhe një rrënim pa leje dhe ajo hapësirë e liruar shpejt u shndërrua në parking. Ky është edhe një rast tipik i shkeljes së disafishtë – pa pëlqim të autoriteteve të trashëgimisë kulturore, pa leje urbanistike për rrënim dhe pa leje për ushtrim të veprimtarisë afariste. Për vetëm pak vite, zona historike e qytetit është vërshuar nga parkingjet ilegale. Në hapësirat ku dikur ishin shtëpitë e vjetra dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore të qytetit, sot operojnë dhjetëra parkingje ilegale.

Rasti i fundit ka ndodhur për shkak se rasti i parafundit ka kaluar pa asnjë pasojë. Dhe ai i parafundit është thirrur në ato të mëhershmet. Tashmë të gjithë e dijnë, dëmtimi i trashëgimisë kulturore nuk prodhon asnjë ndëshkim. Ndonëse paraqet vepër të rëndë penale, të dënueshme me burgim dhe gjoba marramendëse, dhe përkundër raportimit për dhjetëra raste të dëmtimeve, deri sot nuk ekziston asnjë vendim i plotfuqishëm gjykate për t’i dënuar keqbërësit.

Nga një zonë me potencial për të konkurruar trashëgiminë botërore, ajo ka degraduar në një qendër historike të parkingjeve dhe hoteleve ilegale. Aplikimi i ardhshëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është larg dhe tashmë koha punon kundër nesh. Prizrenin duhet ta shpëtojmë, pasi ai do të jetë një nga argumentet tona më të fuqishme në rrugën drejt UNESCO-s.

Milionat që nuk po e ndalin degradimin e trashëgimisë


Qendra Historike e Prizrenit është e degraduar në një masë të frikshme. Nësë e përdorim analogjinë e situatave të konfliktit për trashëgiminë kultutore, Qendra Historike i ngjan një zonte lufte. Paradoksalisht, qendra e qytetit ka numër tejet të madh mekanizmash ligjor e institucional që synojnë mbrojtjen e saj. Prej ligjit të veçantë të miratuar nga Kuvendi, Planit të Konservimit të miratuar nga Komuna, Task Forcës së qeverisë qendrore për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e deri te Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Këshilli për Trashëgiminë Kulturore, kjo qendër posedon një mori garancash. Por, edhe përkundër kësaj, zona e parë e qytetit vazhdon të pësojë nga aktivitetet degraduese, si rezultat i veprimit të grupeve të fuqishme ekonomike dhe neglizhencës vepruese nga institucionet. Për ta bërë këtë situatë edhe më të rëndë, as investimet milionëshe të buxhetit të shtetit dhe donatorëve ndërkombëtarë për restaurimin e monumenteve të trashëgimisë nuk po e ndalin trendin e degradimit.

Në hulumtimin e fundit të organizatës EC Ma Ndryshe është konstatuar se gjatë dekadës së fundit, janë shpenzuar rreth 3 milionë euro në dhjetë projekte restauruese të monumenteve në Prizren. Për fat të keq, kjo shumë marramendëse e investuar në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ka prodhuar vetëm realitetin e dyerve të mbyllura. Në total, këto dhjetë monumente të restauruara i kanë dyert e mbyllura për vizitorë dhe komunitetin lokal afro 350 muaj. Rrjedhimisht, edhe përfitimi nga aktiviteti eventual ekonomik i këtyre monumenteve është 0 euro. Përveç dobisë ekonomike, këto monumente të mbyllura nuk po i shërbejnë as qëllimeve jo-ekonomike të trashëgimisë kulturore. Përfundimisht, këto investime nuk kanë arritur të prodhojnë rezultat të dëshiruar dhe domosdoshmërisht imponojnë nevojën për të rimenduar qasjen. Shpenzimi i parasë së taksapaguesit vendor ose të një shtetit tjetër duhet të ndjekë një logjikë të artikulimit të ndikimit të dëshiruar. Edhe në praktikën e mirë botërore, intervenimi fizik për qëllime të mbrojtjes së monumenteve, nuk është rezultat e ndikim i mjaftueshëm. Për arsye se, një monument i restauruar, por që rri i mbyllur dhe nuk e integron komunitetin, përbën një investim të vdekur dhe i kontribuon degradimit të mëtejshëm të atij monumenti.

Në mesin e këtyre dhjetë monumenteve të restauruara viteve të fundit ka edhe raste tejet groteske. Disa nga këta shembuj janë Hamami i Gazi Mehmed Pashës, ndërtesa e Kuvendit të vjetër – Beledija, Selamllëku i Shani Efendiut dhe Shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut. Në rastin e Hamamit, institucionet e patën nisur restaurimin pa i siguruar të gjitha fondet e nevojshme dhe si pasojë punimet u patën ndërprerë në fund të vitit 2014. Prej asaj kohe, monumenti vazhdon të mbetet i cënueshëm ndaj faktorëve të jashtëm dhe në dy raste të identifikuara deri tani atij i është vjedhur plumbi nga kupolat. Në rastin e Beledijes, një intervenim restaurues me fonde ndërkombëtare kishte për synim funksionalizimin e ndërtesës si Qendër e parë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Sot, këtë ndërtesë e shfrytëzon Drejtoria e Turizmit e Komunës së Prizrenit dhe ajo asnjëherë nuk ka funksionuar si qendër e trashëgimisë. Në një rast tjetër, kishin investuar dy donatorë të ndryshëm ndërkombëtar, njëri intervenim me qëllim restaurimi dhe tjetri me qëllim themelimin e një zyre informative për turistët. Edhe pse e pajisur plotësisht me inventar dhe me publikime promovuese, kjo zyre informative qëndron e mbyllur për afër shtatë muaj, si pasojë e paaftësisë së komunës për të punësuar personel. Edhe rasti i Shtëpisë së Shuaip Pashë Spahiut është dështim i llojit të vet. Përveç problemeve të pronësisë, atij i janë dhënë destinime të ndryshme, ndërsa i fundit ishte ai për të akomoduar Akademinë Diplomatike të Kosovës. Kjo shtëpi, që nga përfundimi i punimeve, asnjëherë nuk i ka hapur dyert, ndërsa me kohë, asaj i janë dëmtuar pjesë të caktuara të fasadës.

Si parakusht themelor, çdo intervenim në monumentet e trashëgimisë kulturore duhet të sigurohet për hartimin e planit të menaxhimit për ta planifikuar fazën e post-intervenimit. Në mesin e këtyre dhjetë monumenteve të restauruara, vetëm njëri prej tyre posedon plan menaxhimi. Paralelisht me realizimin e punimeve restauruese, duhet të krijohen grupe punuese për hartimin e planeve të menaxhimit dhe planifikimin e funksionalizimit të monumentit. Fokusi kryesor i donatorëve, qofshin vendor apo ndërkombëtar, duhet të jetë në përfshirjen e komunitetit për mbajtjen gjallë të monumenteve, qoftë në formë të vizitave të turistëve, zbatimit të programeve edukative, krijimit të hapësirave muzeale apo edhe krijimit të hapësirave të shfrytlzueshme për nevojat e komunitetit lokal. Për më tepër, programimi i fondeve që synojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet t’i përgjigjet një plani të përgjithshëm të nevojave dhe prioriteteve në trashëgiminë kulturore, duke e ndërprerë praktikën e deritashme të veprimeve ad-hoc dhe të pakoordinuara.

Qendra Historike e Prizrenit ka nevojë për shumë investime në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Por, asaj përfundimisht nuk i duhen milionat e çuar huq që prodhojnë monumente të mbyllura. Trashëgimia kulturore dhe turizmi janë potenciale reale zhvillimore të Prizrenit, ashtu si konstatohet edhe me Planin Zhvillimor të Komunës. Dhe për të përfituar nga ky potencial, fokusi i fondeve duhet të shkojë përtej intervenimit fizik në monumente.