Nesër (më 9 korrik) Ligji për Qendrën
Historike të Prizrenit mbush dy vjet. Për këto dy vite janë raportuar me
dhjetëra raste të ndërtimeve pa leje dhe dëmtimit të pronave të trashëgimisë
kulturore. Kjo vetëm sa e ka rritur bilancin e përgjithshëm të degradimit të
qytetit kur këto raste ia shtojmë atyre që kanë ekzistuar para hyrjes në fuqi
të ligjit. Prizreni sot është më i shëmtuar se para një viti, më i degraduar se
para dy vitesh. Në këtë përvjetor të ligjit, pyetja që vazhdon të jetë aktuale
është e thjeshtë: cili ka qenë qëllimi i miratimit të këtij ligji?
Prizreni dhe ligji per qendrën e qytetit janë tregues tipik të një shteti
të dështuar dhe të kriminalizuar. Procesi i hartimit dhe miratimit të këtij
ligji janë tregim i një shtypjeje brutale të shoqërisë. Kultura e mosndëshkimit
dhe mungesa totale e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit.
Shoqëria në anën tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të
cilave e ka njohur dhe dashuruar qytetin. Transformimi të cilin e ka pësuar
qyteti na ka shndërruar në të huaj në vendin tonë. Qendra e Prizrenit sot as
për afër nuk i ngjan një qendre historike. Ajo është pasqyra e degjenirimit ku
kemi rrëshqitur si shoqëri e shtet.
Dy vite pas, Ligji për Qendrën
Historike të Prizrenit nuk është asgjë më tepër se një nga ligjet e shumta që
janë qëllime në vetvete, e jo mjete për zgjidhjen e problemeve. Dy vite pas
miratimit të ligjit, dilemat janë të njëjta. Nëse na u imponua kaq brutalisht,
pse sot nuk po zbatohet? Nëse qëllimi paskësh qenë mbrojtja e trashëgimisë
kulturore, pse qendra e qytetit po degradohet njëlloj si para miratimit? A mos
ndoshta duhet të miratojmë edhe një tjetër ligj? Apo mos ndoshta duhet t’i
amnistojmë të gjithë ndërtuesit ilegalë që e kanë shkatërruar qytetin?
Deri në 9 korrikun e ardhshëm.
No comments:
Post a Comment