Udhëzues për kandidatët e Prizrenit


Dhjetë pikat e domosdoshme për të qeverisur si duhet me Prizrenin. Sipas meje!

1. Struktura urbane – aktivitetet ndërtimore e kanë transformuar strukturën urbane të qytetit, duke e shndërruar në një vend të shëmtuar. Struktura urbane e qytetit është e rrezikuar skajshmërisht nga  veprimet e paligjshme dhe zhvillimi i pakontrolluar. Duhet të veprohet urgjentisht, duke i ndalur të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe duke i rrënuar të gjitha strukturat që nuk janë në pajtim me ligjin, lejet e ndërtimit dhe pëlqimet.

2. Kultura dhe turizmi – tashmë disa vite me rradhë, aktivitetet kulturore po dëshmohen si promovuese kryesore të turizmit dhe rrjedhimisht të zhvillimit ekonomik. Edhe pse buxheti institucional për kulturën është pothuaj inekzistent, iniciativa e komunitetit kulturor të qytetit është dëshmia më e mirë se me vullnet të pastër dhe punë të palodhshme mund të arrihen efekte pozitive. Duhen krijuar të gjitha kushtet  e domosdoshme (politikat, buxhetin, infrastrukturën) që kultura të sjellë sa më shumë përfitim për qytetin dhe qytetarët.

3. Qendra Historike – Prizreni posedon potencial botëror të trashëgimisë kulturore, por gjendja aktuale e Kalasë, Hamamit e shumë monumenteve tjera është e mjerë. Mungesa e investimeve, kujdesit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore janë dëshmi të mungesës së civilizimit. Kalaja, Hamami dhe një numër i madh monumentesh kanë nevojë për intervenim të menjëhershëm, ndërsa paralelisht duhet zhvilluar edhe studimet për potencialin e Prizrenit karshi UNESCO-s.

4. Shërbimet publike – qyteti po vuan për ujë të pijes, ndër të tjerash. Mohimi i ujit të pijes qytetarëve të një qyteti që gjendet mbi burimet e panumërta të ujit është sa shkelje e të drejtave të njeriut aq edhe amaterizëm i skajshëm. As edhe një ditë më shumë nuk duhet toleruar këtë gjendje, ndërsa paralelisht me ujin, qytetit duhet kthyer edhe pastërtinë, hapësirat e gjelbëruara dhe rendin publik.

5. Natyra – aktivitetit ndërtimore nuk i ka shpëtuar as trashëgimia natyrore e Prizrenit. Betonizimi i mijëra hektarë hapësirave natyrore është shkatërrim i pariparueshëm, ndërsa rasti i Prevallës është shembulli më drastik dhe i dhimbshëm i këtij zhvillimi. Duhet vendosur masa të rrepta ndalimi për aktivitetet degraduese ndaj natyrës, ndërsa Prevallën duhet trajtuar me prioritet.

6. Sporti – Prizreni e ka humbur njërin nga elementet më të forta të identitetit të vet, klubet sportive të qytetit. Liria e Bashkimi tashmë janë klube të papërfillshme, ndërsa në sportet tjera as që ka mbet ndonjë klub që përfaqëson qytetin. Prizreni ka nevojë për një strategji efektive të bashkëpunimit mes institucioneve dhe sektorit privat për t’i kthyer në konkurrencë reale klubet e qytetit.

7. Lumbardhi – nga krenaria e qytetit, lumi është shndërruar në pasqyrën e turpit. Papastërtia, kundërmimi, shtrati i parregulluar dhe të tjera janë reflektim publik i paaftësisë qytetare dhe institucionale për t’u kujdesur për Lumbardhin. Prizreni ka nevojë urgjente për një projekt serioz që do ta shpëtojë Lumbardhin, i cili fundja është arsyeja themelore pse sot ekziston qyteti.

8. Kalldrëmi – në 15 vitet e fundit, Prizreni e ka humbur karakteristikën e vet më të dukshme të të qenit qytet i vjetër. Heqja e kalldrëmit nga rrugët e qytetit ka qenë projekt vrasës ndaj vlerave dhe identitetit të qytetit. Prizreni, para se gjithash, ka nevojë të kthejë frymën dhe atmosferën e vet qytetare, e kjo duhet të fillojë me kthimin e kalldrëmit në të gjitha rrugët që dikur kanë qenë të shtruara me kubëzat magjike.

9. Arsimi dhe shëndetësia – shkollat dhe shtëpitë e shëndetit në Prizren e kanë humbur karakterin themelor të tyre, arsimimin dhe shërimin. Derisa shkollat udhëhiqen nga të emëruar dhe fanatikë partiak, shtëpitë e shëndetit janë përplot me personel që kanë probleme serioze me etikën. Të dyja grupet e institucioneve publike kanë nevojë për njerëz profesional dhe shërbime cilësore.

10. Administrata publike – trajtimi që i bëhet qytetarëve në shërbimin civil të komunës të kujton frikën që të shkaktonin policët dhe doganierët e shteteve fqinje gjatë kalimit të kufijve viteve 90-ta. Ofrimi i shërbimeve të administratës është e drejtë bazike që duhet siguruar çdo qytetari, pa vonesë, pa burrokraci dhe pa arrogancë. Administrata komunale ka nevojë për reformë të thellë personeli dhe sistemi të punës.  

No comments: