Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit sot mbush një vjet. Mes urimit e ngushëllimit për një vjetor, po zgjedh me e ofru një pasqyrë të gjendjes së sotme. Për ata që tashmë e kanë harruar, ligji kishte kaluar me forcë dhe imponim. Arsyetimi i imponuesve ishte se ligji do ta mbrojë trashëgiminë kulturore të qytetit. Kundërargumenti i kundërshtuesve ishte se ekzistojnë një mori ligjesh për këtë qëllim, dhe se ne na nevojitet zbatimi i ligjit dhe jo ligj i ri. Imponuesit mendonin se kundërshtarët janë kundër një bashkësie të caktuar fetare, ndërsa këta të fundit thirreshin në parimin kushtetues të sekularizmit.
Atë kohë askush nuk i dëgjoi shoqërinë civile dhe
qytetarët e Prizrenit dhe ligji hyri në fuqi më 9 korrik 2012 me nënshkrimin e
Presidentes. Sot, një vit më pas, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë në qendrën
e Prizrenit. Jo vetëm se nuk ka veprime ndaj shkeljeve të para 9 korrikut, por
edhe prej ditës së hyrjes në fuqi, ndërtimet pa leje kanë vazhduar të
degradojnë qendrën si më parë. Ligji ka hyrë në fuqi, por asgjë nuk ka
ndryshuar nga praktika degraduese e ndërtuesve dhe veprimet neglizhente të
institucioneve. Një vit më vonë, Qendra Historike e Prizrenit duket edhe më e
shëmtuar, edhe pse e ka një ligj të vetën.
Të fortit e Prizrenit dhe Kosovës vazhdojnë të ndërtojnë
hotele e shtëpi private e të hapin biznese që shkelin rregullat e ndërtimit. Ata
janë ligji vet dhe qendrën e qytetit ia përshtasin interesave të tyre të
ngushta. Zyrtarët e komunës, sa të paaftë për t’i ndalur, në shumë raste vet
janë pjesë e degradimit të qendrës. Shoqëria civile vazhdon të jetë anemike dhe
e paaftë për të shkuar përtej raportimit të rasteve të shkeljeve. Në gjithë
këtë rrëmujë, qendra e qytetit vazhdon të pësojë, me dinamikë të njëjtë
degradimi, si para 9 korrikut të vitit të kaluar.
Prizreni dhe ligji per qendrën e qytetit janë tregues
tipik të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar. Procesi i hartimit dhe
miratimit të këtij ligji janë tregim i një shtypjeje brutale të shoqërisë nga
shteti dhe bashkësia ndërkombëtare. Kultura e mosndëshkimit dhe mungesa totale
e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit. Shoqëria në anën
tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të cilave e ka njohur
dhe dashuruar qytetin. Transformimi të cilin e ka pësuar qyteti na ka
shndërruar në të huaj në vendin tonë. Qendra e Prizrenit sot as për afër nuk i
ngjan një qendre historike. Ajo është pasqyra e degjenirimit ku kemi rrëshqitur
si shoqëri e shtet.
Një vit pas, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk
është asgjë më tepër se një nga ligjet e shumta që janë qëllime në vetvete, e
jo mjete për zgjidhjen e problemeve. Ndërsa një vit më pas, dilemat janë të
shumta. Nëse na u imponua kaq brutalisht, pse sot nuk po zbatohet? Nëse qëllimi
paskesh qenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pse qendra e qytetit po
degradohet njëlloj si para 9 korrikut? A mos ndoshta duhet të miratojmë edhe
një tjetër ligj? Apo mos ndoshta duhet t’i amnistojmë të gjithë ndërtuesit
ilegal që e kanë shkatërruar qytetin?
Deri në 9 korrikun e ardhshëm.
No comments:
Post a Comment