Përralla fillon me fjalët “Na ishte një herë një
Prizren”, dhe vazhdon...
Janë rreth dhjetë institucione qendrore dhe lokale që
kanë përgjegjësi direkte për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe krijimin e
rendit urbanistik të qyteteve. Përgjegjësia është e ndarë në formën që e
implikon secilin institucion në masë të caktuar dhe që kërkon qasje të
integruar në vendimmarrje dhe ekzekutim. Ky është rrëfimi për modelin degradues
të bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve, që për pasojë e ka sjellë
shkatërrimin e Prizrenit. Sot, ky shkatërrim ilustrohet me cilësinë e dobët të
infrastrukturës fizike, hapësirës publike dhe shërbimeve publike, si dhe me
rrënimin ose dëmtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Trekëndëshi themelor i urbanizmit brenda Qendrës
Historike të Prizrenit përbëhet nga Drejtoria për Urbanizëm, Instituti për Mbrojtjen
e Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria për Inspektorat. Derisa e para lëshon
leje urbanistike, e dyta jep pëlqime për respektimin e parimeve të mbrojtjes së
trashëgimisë kulturore. Ndërsa Inspektoratit i mbetet që të monitorojë procesin
e ndërtimit bazuar në këto dy dokumente. Ajo që ndodh realisht brenda komunës
së Prizrenit është kjo: zyrtarët e urbanizmit thonë që janë në rregull me
dokumentet dhe lejet e lëshuara, ndërsa përgjegjësinë për tejkalime dhe
ndërtime pa leje ia hedhin Inspektoratit. Këta të fundit thirren në buxhetin e
pamjaftueshëm, numrin e vogël të inspektorëve dhe sidomos (ndonëse jo
publikisht) në pamundësinë për t’ia ndalë punimet ndërtuesve, të cilët shpesh i
përshkruajnë si “të fortë dhe të paprekshëm”. Në gjithë këtë situatë, ai që i
ka emëruar drejtorët e këtyre dikasterëve, kryetari i komunës, hesht, ndërsa e
shumta, flet për kërkesat që ia ka drejtuar drejtorëve të tij për të vënë
rregull urbanistik në qytet. Vetëm kaq. As Kuvendi i Komunës nuk mund të
amnistohet nga kjo përgjegjësi, pasi që ky institucion e ka miratuar “Planin e
Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, ndërsa asnjë herë
nuk ka kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi i komunës për shkeljen me dy këmbë të
këtij dokumenti.
Dimension tjetër i dështimit të shtetit është momenti kur
në këtë pamje hyn gjyqësori. Drejtoria për Inspektorat ka ngjarë të ketë
dërguar ndonjë kërkesë në Gjykatën për Kundërvajtje për të nisur proces
gjyqësor ndaj ndërtuesve që i shpërfillin lejet e ndërtimit. Por kjo nuk ka
sjellë kurrfarë rezultati, duke ia rikonfirmuar fuqinë dhe paprekshmërinë
ndërtuesve. Për më tepër, Prokuroria e Qarkut (tash Themelore) ka vite që
zhvillon hetime në urbanizëm, ndërsa ende nuk ka arritur të shpallë aktakuzën,
edhe pse dëshmitë janë shumë të dukshme dhe shumë shpesh të raportuara nga
shoqëria civile dhe mediat. Në të njëjtën kohë, inspektorët e komunës gjatë
punëve të inspektimit në terren, detyrohen të kërkojnë asistencë edhe nga
Policia, e cila dërgon policë për të asistuar zyrtarët komunalë, por prezenca e
tyre nuk i lehtëson aspak rrethanat e inspektimit.
Niveli qendror i përgjegjësisë institucionale për të
mbrojtur qytetet është edhe më problematik. Janë disa ministri që kanë rol
direkt dhe obligim ligjor për të parandaluar degradimin urbanistik dhe adresuar
shkeljet. Ministritë e kulturës, planifikimit hapësinor dhe pushtet lokal janë
adresat kryesore në qeverinë qendrore, të mandatuara për të siguruar rend
urbanistik në qytete. Ministria e Kulturës, përmes Departamentit të vet të
Trashëgimisë Kulturore dhe Instituteve rajonale për Mbrojtjen e Monumenteve të
Kulturës, duhet të veprojë si autoriteti më i lartë shtetëror për mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore. Në rastin e Prizrenit, kjo ministri nuk ka ndërmarr
asnjë veprim konkret për të adresuar kaosin urbanistik që po ndodh në Qendrën
Historike të qytetit nga viti 1999. Në anën tjetër, Ministria e Planifikimit
Hapësinor vazhdon të mbetet e heshtur karshi shkeljeve të Planit Hapësinor të
Kosovës dhe planeve lokale urbane në Prizren. E fundit në këtë linjë të
përgjegjësisë, Ministria e Pushtetit Lokal reagon tepër rrallë dhe shumë herë
me butësi të pabesueshme karshi mosrespektimit të ligjshmërisë në miratimin e
akteve komunale në Prizren.
Trashëgimia kulturore nuk i ka shpëtuar viktimizimit nga
sistemi i ri i “vlerave” pas lufte, që karakterizohet me mungesë totale të
llogaridhënies e përgjegjësisë dhe me kulturë të mosndëshkimit. Në një mjedis
të tillë, investitorët në ndërtimtari kanë arritur që paratë e fituara në rrugë
joformale t’i shpërlajnë përmes ndërtimeve të shumta, gjatë të cilit proces ata
i kanë korruptuar edhe zyrtarët e pushteteve lokale të Kosovës. Esencialisht,
problemi qëndron në mosndalimin dhe mosndëshkimin e veprimtarisë ekonomike
joformale nga institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, është pothuaj absurde të
pritet që i njëjti shtet të vendosë rregull dhe të ndalojë aktivitete
degraduese ndërtimore në qendrat historike të qyteteve. Sektori i ndërtimeve në
Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër më të përfolurit për keqpërdorime dhe
korrupsion. Konkretisht, disa zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe disa kompani
ndërtimi janë nën hetime nga Prokuroria Themelore për parregullsi urbanistike.
E njëjta gjendje vlen edhe për Prishtinën, ku disa nga zyrtarët komunalë janë
të përfshirë në kaosin urbanistik që e ka kapluar kryeqytetin.
Përfundimisht, qyteti i Prizrenit është kapur nga shteti,
nga institucionet shtetërore në të dy nivelet. Kjo kapje fatkeqe për Prizreni
po e shpërfaq modelin e bashkëpunimit ndër-institucional për të shkatërruar
qytetin. Në rastin e Prizren, thjesht, është shteti ai i cili po e shkatërron
qytetin.
Rujuni prej
shtetit, se me bo me ju kap...
No comments:
Post a Comment