Manual – si të shkatërrojmë një qytet në pesë hapa


Hapi i parë – shlyerja e kujtesës kolektive
Shikojeni qytetin me vëmendje. Cili detaj po ju bie në sy më fuqishëm? E saktë, kalldrëmi. Nisni me shkuljen e kalldrëmit, sepse ajo është velloja e nuses shehër. Dekalldrëmizimi do të thotë deshehërizimi më flagrant që mund t’i bëni qytetit. Në vend të tij spërkatini rrugët me asfalt. Publikisht këtë ndryshim publikut ia prezantoni si modernizim. Zgjerim të rrugëve, plotësim të kërkesave të trafikut të intensifikuar, pamje evropiane, ruajtje e veturave nga amortizimi (të mjerët auto-mekanikë!). Nëse e keni realizuar shkuljen e kalldrëmit, ju e keni filluar me sukses misionin e shlyerjes së kujtesës kolektive. Mos u ndalni, keni ende shumë punë për të bërë. Shikojeni sërish qytetin, me kujdes. A po e shihni të vjetrën, antiken, demodenë, prapambeturinë? Natyrisht që po, shtëpitë e vjetra, qerpiqi, gëlqerja, qeremidet, druri. Rrënojini ato dhe në vend të tyre, vendosni tulla të kuqe, beton, hekur, qelq. Pastaj ngjyrosini me ngjyra të lloj-llojshme, të ndezta, atraktive. Ndërtoni shtëpi të reja, pallate shumë-katëshe, qendra tregtare, parkingje, e çkahmos. Tani jeni në gjysmën e rrugës për të shlyer tërësisht kujtesën kolektive. Ju pret një detaj mjaft i rëndësishëm, por edhe emocional. Mos humbni as edhe një sekondë, rrëzojini të gjitha ato përmendore, lapidare, buste, memoriale dhe simbole që e shënojnë një kohë tjetër nga koha e re. Historia e këtij vendi ka filluar para një dekade dhe kjo duhet të pasqyrohet në urbanistikë. Shpallni sa më shumë heronj të luftës, të sakrificës, të vuajtjes për liri dhe pavarësi. Shkrijini ata në bronz dhe vendosini në sheshet më të frekuentuara, pozitat më strategjike, pamjet më pitoreske. Në pikat ku qytetarët do të ballafaqohen me ta çdo ditë, sa herë që dalin nga shtëpitë e tyre. Dhe përfundimisht, përhapini narrativet e luftës dhe të historisë së re. Tregojuni qytetarëve se kujt ia kanë borxh lirinë që e shijojnë, punën që e punojnë dhe rrogën që e marrin, shkollimin që e gëzojnë fëmijët e tyre, kujdesin shëndetësor dhe social që e përfitojnë, ajrin që e thithin. E thithin!

Hapi i dytë – instalimi i administratës provinciale
Në rast se jeni duke e shkatërruar një qytet me traditë të gjatë administrative, atëherë bëni kujdes. Jeni duke u ballafaquar me një sfidë jo të lehtë dhe ky hap është qenësor drejt arritjes së synimit tuaj, prandaj jini të vendosur, të guximshëm dhe mos lëshoni pe në zbatimin e këtyre masave. Pasi që keni garuar për poste publike të qytetit dhe i keni futur nën kontroll ato, ju sugjerojmë që të mos i injoroni kulturën dhe praktikat klanore të jetesës së hapësirave prej nga vini. Ndonëse dëshironi të shkëputeni një herë e mirë nga e kaluara e juaj, mos harroni që disa elemente të asaj kulture janë shumë të vlefshme për misionin tuaj të ri. Filloni nga të afërmit, familjarët, shokët dhe pastaj zgjerojeni rrjetin, të arëfmit e të afërmve, shokët e shokëve, e kështu me rradhë. Punësojini ata në administratën e qytetit. Ju po përparoni me shumë sukses, ngase tashmë e keni bartur mentalitetin klanor të qeverisjes edhe në qeverisjen e qytetit. Mos u ndalni, sepse keni ende punë. Në rradhë janë shtëpitë e shëndetit, spitalet, shkollat, institucionet e kulturës, ndërmarrjet publike. Rrjeti juaj po zgjerohet, ju po lëshoni rrënjë të thella në të gjitha qelizat dhe poret themelore të organizimit shoqëror. Për të pëmbyllur efektshëm këtë hap të misionit tuaj, mësojini të punësuarit tuaj me praktikat efektive të kryerjes së punëve. Njoftojini ata me teknikat e favorizimeve, përfitimeve të shpejta, avancimeve, mbylljes së njërit sy, procedurave të përshpejtuara. Dhe e tërë kjo, në emër të luftimit të burokracisë dhe ngadalësisë administrative që e kemi trashëguar nga një sistem i kaluar, shumë i dëmshëm për shoqërinë tonë.

Hapi i tretë – degradimi i kapitalit social
Nëse keni mbërritur deri në hapin e tretë, jeni me fat. Tashmë jeni dëshmuar mjaft të suksesshëm në realizimin e misionit tuaj dhe ju ka mbetur vetëm edhe pak deri në fund. Si shpërblim për angazhimin dhe vendosmërinë tuaj, do ta merrni hapin e tretë. Në këtë pikë shumë të ndieshme, nuk do të lodheni edhe aq. Për ju do të veprojnë disa forca të jashtme, që janë dëshmuar mjaft të suksesshme deri tani në qindra vende të botës. E tëra që duhet të bëni është të intervenoni me disa politika publike dhe e tëra do të funksionojë për mrekulli. Prej se ka nisur historia e re e këtij vendi, kapitalizmi ka ridefinuar të gjitha dinamikat e funksionit të shoqërisë dhe qeverisjes së shtetit. Nëse jeni me fat dhe vendi juaj po përjeton manifestim të egër të kapitalizmit, është momenti i duhur për të vepruar. Filloni të aplikoni tatime të larta afariste dhe rrjepini bizneset e vogla të qytetit. Në prokurimet publike, favorizojini ato ndërmarrje që ju kanë ndihmuar t’i arrini postet publike. Natyrisht edhe ndërmarrjet e të afërmve tuaj. Kujdesuni që njerëzit tuaj lojal t’i infiltroni brenda shoqatave afariste. Me këtë do të parandaloni çdo iniciativë për të krijuar komunitet të konsoliduar afarist të qytetit. Jeni në rrugë të mbarë. Nëse i keni ndërmarrë këto veprime, me siguri jeni duke i vërejtur rivalitetet afariste, luftën e pamoralshme dhe degradimin e çdo vlere të mundshme shoqërore mes afaristëve. Shumë shpejt, këto antivlera do të përhapen edhe në sfera të tjera shoqërore. Njerëzit do të humbin besimin që e kanë tek njëri-tjetri. Nëse jeni konsistent në veprimet e juaja, shumë shpejt ata do të humbin edhe vetëbesimin. Dobësimi i lidhjeve ndër-njerëzore, shpartallimi i rrjeteve shoqërore, kultivimi i dyshimit, futja e rivaliteteve joparimore, individualizmi, janë disa nga pasojat kryesore të veprimeve tuaja.  Sa më shpejtë që të arrini në këtë gjendje, aq më efektiv do të jetë misioni juaj shkatërrues.

Hapi i katërt – arti është luks, sporti është luftë
Po ballafaqoheni me arrogancën e njerëzve të cilët pretendojnë se kanë trashëguar art e kulturë shekuj me rradhë? Mos u brengosni. Përvishuni punës dhe ndiqni me përpikmëri udhëzimet e Manualit. Arti dhe kultura janë produkte luksoze dhe njerëzit mund të mbijetojnë edhe pa to. Në një mjedis me kujtesë kolektive në shlyerje e sipër, administratë provinciale dhe kapital të degraduar social, qytetarët nuk do të kenë as kurajën më të vogël për t’u ankuar për art e kulturë. Mund të filloni me shkurtim të buxhetit të kulturës, për ta degraduar atë në nivelin afër zeros. Me ato pak mjete mund të financoni festivale folklorike, përvjetore patriotike, ndonjë koncert muzike dhe të ngjashme. Nga miqtë tuaj afarist kërkoni që të financojnë projekte të muzikës burimore shqipe dhe turbo-folk. Mos harroni që këto zhanre të muzikës t’i promovoni në të gjitha aktivitetet e juaja. Në rast se siguroni mjete për të përkrahur projekte filmike dhe teatrore, kujdesuni që ato të trajtojnë tema nga lufta dhe sakrifica për liri. Me këto veprime, përveç që do të promovoni kiçin në kulturë, ju do të kontribuoni edhe në përmbushjen e hapit të parë të këtij Manuali, shlyerjen e kujtesës kolektive. Paralelisht, sportin duhet ta shndërroni në luftë. Luftë personale mes klubeve sportive që janë nën pronësinë tuaj dhe të afërmve tuaj, si dhe luftë kolektive, ku ndeshjet e sportit i ngjajnë arenave të dyluftimeve me shtazë të egra. Duhet të kushtoni vëmendje të posaçme degradimit të klubeve, të ashtuquajtura të qytetit. Strategjia më e mirë për këtë është mosfinancimi i këtyre klubeve dhe dërgimi i tyre në liga të dyta, të treta kampionale dhe kështu me rradhë deri në shuarjen totale të tyre.

Hapi i fundit – miratoni një ligj për qytetin
Ligjet për qytetet nganjëherë dijnë të jenë të mira, produktive dhe me raste edhe zhvillimore. Prandaj, bëni kujdes. Tanimë nuk mund t’ia jepni vetes luksin e një gabimi të tillë, sepse jeni fare në fund të misionit tuaj shkatërrues. Ligji duhet të ketë një emër atraktiv, diçka sikur “ligj për qendrën historike të qytetit” dhe mundësisht të jetë i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë me përvojë shumë-vjeçare në shumë vende të botës. Duhet t’u tregoni të gjithëve se ligji i plotëson të gjitha standardet ndërkombëtare, pasi atë e kanë përpiluar ekspertët e huaj në bazë të modeleve të stëraplikuara botërore. Mos u brengosni për kërkesat e komunitetit vendor për të qenë pjesë e procesit të hartimit të ligjit. Mundësisht kujdesuni që ligji të krijojë realitete të reja vendimmarrëse brenda qytetit, psh. duke e fuqizuar një komunitet të caktuar fetar dhe duke i dhënë të drejtën e vetos mbi gjithçka që mund të zhvillohet në qendrën e qytetit. Brenda ligjit, futni bariera të shumta procedurale, burrokratike, administrative. Dhe me këtë ngushtojeni deri në ngufatje hapësirën e veprimtarive afariste, kulturore, rinore, sportive dhe të tjera. Parashihni ndëshkime të mëdha për të gjithë ata që veprojnë kundër dhe krijoni mundësi korruptimi brenda instancave të reja të vendimmarrjes. Një gabim që nuk duhet të bëni asesi është aspekti zhvillimor. Ligji mund të përmbajë vetëm një nen të zbehtë ku përmendet fjala “zhvillim”, por asgjë konkrete. E keni përfunduar me sukses hapin e pestë dhe të fundit të Manualit? Përgëzime! Misionin e keni përmbyllur me sukses. Për të verifikuar efektet, mund të dilni dhe të shëtisni nëpër qytet. Gjithçka do të jetë ashtu si e keni paramenduar. Prej këtij momenti, mund të shijoni shkatërrimin e arritur dhe të vjelni frytet e investimeve, përpjekjeve dhe sakrificave të juaja të deritanishme.   

Lexues i dashtun kosovar, nëse ende po pyetesh se për cilin qytet është fjala, më vjen keq të të them, por qenke i verbër. Dhe për fat të keq, verbëria jote është parakusht themelor që Manuali për shkatërrimin e qytetit të funksionojë për mrekulli.   

No comments: