Me e lexu Bekim Fehmiun se si e përshkrun Prizrenin,
mendon që ashtu tu fol për nji tjetër vend. Për nji parajsë në tokë, që asnji
herë nuk të ka shku mendja se ekziston. Përshkrimi i tij për qytetin asht nji
rizbulim i qytetit edhe për vet prizrenlitë. Të ishte gjallë sot me e pa si po
ia vrasin qytetin, nashta edhe nuk kish me reagu fare. Ai ka dit me e shiju çdo
detaj (edhe ato ma të voglat e të pavërejtshmet) të qytetit, çdo veprim që
lidhet me qytetin. Jam i bindun që kish me e shiju edhe vrasjen e Prizrenit. Se
Prizreni nuk asht i bukur për natyrën dhe objektet e tij, por për mënyrën si
jetohet dhe përjetohet si qytet. E të tillë, që dinë të përjetojnë qytetin janë
të paktë, ndërsa Bekimi ka qenë njani prej tyre.
Qytetit ia kanë shkru nji ligj, me pretekst mbrojtjen e
trashëgimisë kulturore. Të tanë po thirren në njifarë Pakoje, e në fakt po e
shkelin me dy kambë. Përmes këtij ligji po e shpikin njifarë Komiteti që ka me
e menaxhu qendrën historike të qytetit. Brenda atij komiteti dojnë me i fut
kishën e xhaminë, e kshtu po e shkelin laicitetin e shtetit. Qendrën historike
po e shndërrojnë në njësi administrative, e kshtu po i shkelin standardet
ndërkombëtare të trashëgimisë. Ligjin po e shkrujnë pa i pyt prizrenlitë, e
kshtu po i shkelin parimet e demokracisë. Objekteve fetare të qytetit po ia
shtojnë dimensionin etnik, e kshtu po e rrezikojnë tolerancën fetare. Po
imponojnë ndalesa, pengesa e burrokraci, e kshtu po e ngufasin zhvillimin
ekonomik. Po bajnë nji lloj transplantimi të organeve, pa pas kurrfarë nevoje.
Qytetit po ia hjekin zemrën e shnoshë, e në atë vend po e vendosin zorrën
qorre. Po e dënojnë me vdekje, pa e pas as edhe fajin ma te vogël. Nuk po e
ekzekutojnë, ama po ia kufizojnë jetën për aq sa zorra qorre mundet me e kry
funksionin e zemrës. Qytetin po e vrajnë pa e kry aktin konkret të vrasjes, por
duke ia kriju të tana kushtet për me vdek kadal dale. Mjeshtërisht!
Vrasësit kanë emna e mbiemna. Hala ma keq, kanë edhe
funksione të nalta publike në nivel qyteti e shteti. Të tanë janë ba bashkë, që
akti i vrasjes me qenë ma efektiv. Që mos me pas kurrfarë gjase shpëtimi. Ata
janë të shtymë, apo siç e qujnë vetë – të këshillum – prej do ndërkombëtarëve
që bajnë karrierë personale në kurriz të qeverisjes në Kosovë. Nuk janë aspak
të vetëdijshëm për damin që do t’ja lënë shoqnisë në të ardhmen. Nëse janë, kjo
asht ende ma e tmerrshme. Në anën tjetër, nji shoqni e tanë asht pozicionu
kundër nji ligji të tillë, e atyne nuk iu bahet vonë. Për ma tepër, këta nuk e
kanë idenë se ç’domethanë qendër historike e qytetit. Mendojnë se ajo asht nji
zonë e caktume brenda qytetit, ku gjenden do objekte me vlera. Urbanisti
Alexandre Melissinos ka argumentu se qyteti asht qendra historike e tij.
Qendrat historike përbajnë diku prej 1 deri 1.5 përqind të hapsinës së qyteteve
evropiane. Ai mendon se pjesa tjetër prej rreth 99 përqind i takon pjesës së
urbanizume dhe jo asaj të qytetit. Prandaj, qytetet janë të rralla, sinjfikante
dhe të pazavendësushme dhe ato kualifikohen si monumente dhe duhet të trajtohen
dhe mbrohen si të tillë. Duke e votu nji ligj vrasës për qendrën historike, kanë
me e vra një qytet dhe jo vetëm nji zonë të caktume të tij.
Për me iu kthy substancës së këtij ligji – trashëgimisë
kulturore – duhet me e vnu theksin te nji element që sistematikisht injorohet –
impakti i trashëgimisë kulturore mbi shoqninë. Ekspertja e trashëgimisë
kulturore Kate Clark ka fol për trashëgiminë si bazament i shumëfishtë
identitetesh. Ajo argumenton se trashëgimia ndikon në përfshirjen shoqnore,
kohezionin shoqnor, qytetarinë demokratike, cilësinë e jetës dhe regjenerimin e
qëndrueshëm. Fenomeni që Clark e observon në Evropën e sotme asht roli në
rritje i trashëgimisë kulturore, e cila rëndom ka qenë burim i unitetit
kombëtar që ka rrjedh nga mburrja me arkitekturë, monumente ose arritje të
mahnitshme. Ajo argumenton se sot trashëgimia kulturore perceptohet si nji
fenomen ma i gjanë, i cili kontribuon në ideale politike, prosperitet ekonomik,
kohezion shoqnor dhe diversitet kulturor.
Si pasojë e ndryshimit të filozofisë së trashëgimisë,
Këshilli i Evropës ka miratu një Konventë mbi vlerën e trashëgimisë kulturore
për shoqninë (e njoftun si Konventa e Faros). Ky asht moment i thymjes së
doktrinës elitiste mbi trashëgiminë dhe i artikulimit të trashëgimisë si e
drejtë e njeriut, që promovon një qasje ma të gjanë ndaj trashëgimisë dhe
raportit të tij me komunitetin, shoqninë dhe shtetin. Trashëgimia nuk asht
vetëm e kalumja, ajo qenësisht asht e sotmja dhe e ardhmja. Nji tjetër ekspert
i trashëgimisë kulturore Robert Palmer ka argumentu se trashëgimia që asht e
shkëputun nga jeta e përditshme e qytetarëve ka vlerë të kufzume dhe se
trashëgimia pëson atrofi në mungesë të përfshirjes dhe përkrahjes qytetare. Andaj,
ai sugjeron që proceset e trashëgimisë të shkojnë tutje preokupimit të
ekspertëve dhe burrokratëve qeveritarë dhe të përfshijnë publikun e qytetit,
lagjes dhe fshatit. Fundja, edhe Konventa e Faros na mëson që objektet dhe
vendet nuk janë, në vetvete, ato që i japin vlerë e randësi trashëgimisë
kulturore, por janë të randësishme për shkak të kuptimit që njerëzit iu japin
dhe vlerat që ato përfaqësojnë.
Tu e ba nji ligj që do ta shkëpus trashëgiminë kulturore
nga qytetarët, vendimmarrësit kanë me e hap rrugën e atrofisë së trashëgimisë.
Rrjedhimisht, kanë me e shkatërru amanetin që e kemi për obligim me ia lanë
brezave të ardhshëm. Qendrën historike kanë me e transformu në nji pazar
politik, ku nacionalizmi etnik dhe ekstremizmi fetar kanë me gjet hapsinë fertile
veprimi e zhvillimi. Krejt kjo duke u thirr në mbrojtje të trashëgimisë
kulturore, e duke mos e njoft nji standard themelor ndërkombëtar, që qëllimi kryesor i mbrojtjes së qendrave
historike asht mirëmbajtja dhe zhvillimi i modeleve të referencës për të
shprehur dhe konsoliduar qytetarinë.
E tanë kjo nuk ka tjetër emën, pos vrasje e një qyteti.
No comments:
Post a Comment