Në rehatinë e gjumit të thellë, duke
mos patur kurrfarë obligimi tjetër, po e shkruaj këtë letër për qytetarët e
Prizrenit, dhe veten time. Që kur të na del gjumi një ditë, ta lexojmë së
bashku. Dhe të themi: ehh.
Kur një ditë do të na del gjumi,
ndjesia e parë do të jetë ajo e qytetit të huaj. Nuk do t’i njohim as lagjet ku
jemi rritur, as rrugët që i kemi ecur, e kam frikë, as njerëzit me të cilët e
kemi ndarë hapësirën. Ajo do të jetë dita kur do të kuptojmë se çfarë aftësie
të jashtëzakonshme destruktive ka njeriu. Një aftësi kjo e krahasueshme edhe me
katastrofat natyrore. Efekt i menjëhershëm i këtij transformimi do të jetë
shlyerja e kujtesës tonë për qytetitn. Gjithçka do të nisë nga e para, sikur të
mos kishte ekzistuar kurrë ai qytet. Sikur të mos kishim ekzistuar ne kurrë.
Kur një ditë do të na del gjumi, do
të shohim se si njerëz të caktuar të elitës politike, ekonomike e fetare i kanë
shndërruar në lodra fëmijësh objektet të cilat ne i konsiderojmë vlera. Ato
vlera me të cilat mburemi dhe i përdorim si argumente kryesore të identitetit
tonë lokal kulturor. Papritmas do të kuptojmë se e gjithë retorika për
“mbrojtjen” e këtyre vlerave, ka qenë vetëm lojë politike dhe mjet për
manipulimin me masën. Me neve.
Kur një ditë do të na del gjumi, do
të shohim se jemi shndërruar në raste studimi të universiteteve botërore.
Titulli i rastit të studimit: “Si nuk duhet bërë planifikimin urban të një
qyteti”. Do të kuptojmë se arkitektët e planerët urban nuk kanë qenë asgjë më
tepër se shërbëtorë besnik të pushtetit dhe njerëzve të pasur. Do të kemi rrugë
të gjera e ndërtesa të larta, por asgjë për të treguar e për t’u ndier krenarë.
Të rrethuar dhe ngufatur nga betoni e qelqi, do ta vazhdojmë jetën të habitur
se si nuk e kemi vënë re kur janë ndërtuar gjithë ato shëmtina.
Kur një ditë do të na del gjumi, do
të kuptojmë se kemi qenë në gjumë me sy të hapur. E që sytë i kemi shfrytëzuar
vetëm për të parë dhe jo për të nxjerrë kuptim nga çfarë kemi parë. Në vend të
dëshirës që e kemi sot për t’ia nxjerrë sytë njëri tjetrit, do të ndiejmë
nevojën për t’ia nxjerrë sytë vetes. Sepse nuk do të mund të besojmë atë që po
e shohim. E për ma tepër, se nuk kemi qenë në gjendje t’i shohim gjërat me
kohë. Atëherë kur ato kanë ndodhur dhe ne kemi qenë në gjumë.
Kur një ditë do të na del gjumi, do
të turpërohemi për fëmijët tanë. Do të shohim se si, gjatë kohës sa kemi qenë
në gjumë, ata i kemi zhveshur nga identiteti dhe iu kemi vjedhur të drejtën për
të shijuar vlerën. Do të kuptojmë se i kemi shndërruar në përbindësha konsumues
dhe lakmues që nuk do të ketë as idenë më të vogël mbi kapitalin social,
komunitetin, solidaritetin dhe humanitetin.
Kur një ditë do të na del gjumi, edhe
sa e sa gjëra të tjera do t’i zbulojmë. Por do të jetë vonë për gjithçka, sepse
atëherë do të ketë ardhur koha për gjumë. Natën e mirë.
No comments:
Post a Comment