Në vitin
2007 qeveria lokale e Prizrenit po i bënte matjet e fundit teknike para
rrënimit të Kino Lumbardhit. Organizimi i shpejtë i skenës së pavarur kulturore
në Prizren, e përkrahur nga shumë qytetarë atë kohë, e kishte shpëtuar
përkohësisht ndërtesën e kinos nga rrënimi. Ndërkohë, pasuan vitet e heshtjes
dhe mosinteresimit, ndërsa të vetmet ngjarje që e mbanin gjallë disi kinon
ishin festivalet e kulturës. As edhe më i vogli kujdes institucional për gjithë
këto vite e kishte degraduar keq monumentin, derisa në korrikun e këtij viti u
lajmërua një institucion i shtetit. Për fat të keq, ishte Agjencia Kosovare e
Privatizimit.
Këtë
herë mobililizimi i shoqërisë civile i tejkaloi përmasat e vitit 2007. Iniciativa
për mbrojtjen e kinos nuk e bashkoi vetëm skenën e pavarur të kulturës, por
edhe organizatat e tjera të shoqërisë civile. Më e rëndësishmja, jo vetëm ato
të Prizrenit, por 58 organizata të shoqërisë civile nga krejt Kosova. Ky nivel
i mobilizimit ishte i domosdoshëm, pasi që privatizimi eventual nënkuptonte
humbjen e një nga landmark (shënjues
kulturor) më të njohur të qytetit. Në të njëjtën kohë, ky bashkim po tregonte
edhe një lloj pjekurie të organizatave të shoqërisë civile, të cilët u bashkuan
për ta shpëtuar një vlerë të rrezikuar. Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit
është antidot për mendësinë që po i shkatërron qytetet tona, e mbi të gjitha
kujtesën tonë mbi to.
Reagimi
i këtij viti që filloi me protestën gjatë Dokufest dhe vazhdoi me Iniciativën
për Lumbardhin prodhoi efekte të shpejta. Komuna e Prizrenit shpalli kinon zonë
me interes të përgjithshëm publik dhe kërkoi ndaljen e privatizimit, derisa
shpejt pasoi edhe konfirmimi i Ministrisë së Kulturës se kino ka status të mbrojtjes
ligjore dhe si e tillë do të jetë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore.
Ndërkohë, në krah të organizatave të shoqërisë civile u rreshtua edhe Zyra e
Bashkimit Evropian në Kosovë. Pjesë e iniciativës është edhe peticioni i
qytetarëve, ndërsa përveç Prizrenit nënshkrimet janë mbledhur edhe në qytetet
tjera të Kosovës. Aktualisht, diskutimi mbi Lumbardhin po zhvillohet brenda një
trupi ad-hoc ndër-institucional që po angazhohet për gjetjen e modaliteteve
ligjore për t’ia kthyer kinon qytetarëve. Bashkimi i shoqërisë civile ka
prodhuar një cilësi të re edhe në angazhimin institucional në Kosovë, duke i
sjellë të gjithë rreth tryezës për të krijuar një precedent pozitiv në shtetin
që ka humbur qindra monumente këto 15 vite.
Iniciativa
për Lumbardhin nuk është vetëm kundër rrënimit, por ka prezantuar edhe plan
konkret për menaxhimin e kinos. Me këtë, aktivistët që po angazhohen në
mbrojtjen e këtij monumenti, po zotohen edhe për përgjegjësi shtesë. Plani i
prezantuar parashesh shndërrimin e Kino Lumbardhit në një hapësirë kulturore
multi-funksionale, e cila do të jetë e aftë për të mbajtur veten. Pjesë e këtij
zotimi është edhe angazhimi për të mobilizuar burime të nevojshme për
intervenime konservuese, të cilat bashkë me planin e menaxhimit do ta kthenin
jetën në këtë hapësirë dhe do ta shpëtonin kinon nga degradimi i mëtejmë.
Megjithatë,
rreziku nuk ka kaluar ende. Iniciativa për Lumbardhin do t’i vazhdojë
përpjekjet deri sa të eliminohen të gjitha paqartësitë dhe kino t’i kthehet
qytetarëve. Si shënjues kulturor, Kino Lumbardhi tashmë është shndërruar në
ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një
zonë, një besim, një kulturë, një qytet dhe një traditë. Mbrojtja e këtyre
vlerave është pika që na bashkon të gjithëve në angazhimin #perLumbardhin, i
cili do të jetojë dhe #perShoqerineCivile, e cila do të bëhet.
No comments:
Post a Comment