Vota negative e vitit të kaluar për Kosovën në UNESCO ishte edhe një
thirrje, ndoshta e fundit për të konsoliduar sistemin e mbrojtjes së
trashëgimisë kulturore në vend. Sado i dhimbshëm si moment, ai mund të përdorej
për reflektim dhe mobilizim shtetëror e shoqëror. Gati një vit pas refuzimit
nga UNESCO, kemi mbërritur në gjendje edhe më të rëndë. Në përgatitje për
aplikimin e radhës në fund të vitit 2017, Kosova ka pajisur kundërshtarët e
anëtarësimit të vet në UNESCO me argumente të reja bllokuese.
Gjatë vitit 2016,
vetëm në Prizren – pjesa më e madhe brenda qendrës së mbrojtur historike – janë
shkatërruar tetë shtëpi të vjetra. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë monumente
të mbrojtura, ndërsa një numër i tyre ndërtesa me potencial të madh për t’u
shpallur monument. Ky është trendi më i frikshëm i shkatërrimit të trashëgimisë
kulturore viteve të fundit. Më e keqja, të gjitha shenjat tregojnë që degradimi
do të vazhdojë, me gjasë me ritëm të shtuar gjatë muajve të ardhshëm. Rrënimi i
shtëpive të vjetra gjatë ditëve të fundjavës tashmë është shndërruar në rutinë.
Pothuajse të gjitha rastet e shkatërrimit janë realizuar me lejen zyrtare të
shtetit. Ndërsa ky vit, në Prizren e shënoi edhe viktimën e parë njerëzore të
moskujdesit ndaj trashëgimisë kulturore. Nga dëmi material (e shpirtëror) kemi
kaluar edhe në pasoja njerëzore. Shtëpia e cila ia mori jetën Xhenetës
3-vjeçare është në të njëjtën gjendje, vetëmse e rrethuar me gypa kanalizimi.
Autoriteteve të shtetit nuk i mjaftoi as tragjedia njerëzore për të rritur
seriozitetin.
Prizreni nuk e meriton më të quhet qytet i trashëgimisë kulturore. Në Prizren po mbytet shpresa për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Çdo rrënim i ri nënkupton një goditje të re për aspiratën e anëtarësimit në UNESCO. Por, më keq se kaq, nënkupton dështim total të shtetit karshi degradimit të trashëgimisë kulturore, i cili tashmë ka marr përmasa alarmante. Në Prizren po e humbim betejën me shkatërruesit e trashëgimisë kulturore. Dhe çmimi më i rëndë që do ta paguajmë nuk do të jetë refuzimi i dytë nga UNESCO.