Në nëntorin e
vitit 2013, derisa qytetarët e Prizrenit po shkonin në vendvotime, Ramadan Muja
ishte në përfundim të një procesi të gjatë gjyqësor. Ai po akuzohej për
keqpërdorim të pushtetit, ndërsa gjithë ata qytetarë që ishin nisur për të
votuar për kryetarin e ardhshsëm të komunës e dinin këtë. Por kjo akuzë e rëndë
nuk çonte aspak peshë për një grup prej 25 mijë votuesish të Prizrenit. Ata dhe
ato, që përbëjnë një të tretën e votuesve të Prizrenit vendosën të votojnë për
Ramadan Mujën. Pas pak muajsh, gjykata do të merrte vendimin e shumëpritur,
duke e shpallur fajtor kryetarin që kishte hyrë tashmë në mandatin e tij të
tretë në krye të Prizrenit.
Derisa i dënuari
për keqpërdorim pushteti Ramadan Muja ende vazhdon të mbajë pozitën e tij dhe
as që e ka konsideruar ndonjëherë dorëheqjen nga momenti i dënimit, javën e
kaluar në qytetin që qeveriset prej tij ndodhi një tragjedi. Pas gjithë atyre
dështimeve në tetë vitet e tij në krye të komunës, ku bën pjesë edhe një vendim
fajësues gjykate, një tre vjeçare u detyrua të paguajë me jetë çmimin e
keqqeverisjes. Me mosveprimin e tij dhe drejtorëve që i ka emëruar vetë për
mënjanimin e faktorëve të dukshëm të rrezikut në rrugën Marin Barleti, ai u bë
shkaktar i drejtpërdrejtë i vdekjes së vajzës tre vjeçare. Ramadan Muja, një i
dënuar për keqpërdorim pushteti, njeri pa minimum të etikës publike, i paaftë
për të qeverisur, personifikim i skandaleve, tashmë është shndërruar edhe në
vrasës.
Të dashur votues
të Ramadan Mujës,
Jam thellësisht i
dëshpëruar që e ndaj hapësirën e njejtë të jetesës me juve. Nuk po mund të
kuptoj se çfarë soji i njeriut mund të jeni për të votuar një fundërrinë në
krye të komunës edhe pas gjithë atyre dështimeve. A nuk ju mjaftuan dy mandate
të qeverisjes me dështime të panumërta në çdo segment të jetës? A nuk ju
mjaftoi procesi gjyqësor dhe akuza për keqpërdorim pushteti? A nuk ju mjaftuan
rezultatet e të gjitha anketave që tregonin për nivelin e lartë të pakënaqësisë
qytetare me shërbimet publike në Prizren? Me votën tuaj e keni prodhuar një
udhëheqës totalisht të papërgjegjshëm si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj
drejtësisë. Dhe ka qenë çështje kohe kur i njëjti, pas gjithë këtyre të bëmave
do të degradonte edhe në vrasës. Me konsistencën tuaj për ta mbajtur në pushtet
pavarësisht dështimeve të shumta, e keni prodhuar edhe tragjedinë. Si keni mund
të jeni kaq budallenj për të mos e vërejtur që po e çoni qytetin në dështim dhe
tragjedi? Dhe mbi të gjitha, a u desh patjetër të ndodhte një tragjedi që të
kuptoni se çfarë fundërrine keni votuar?
A po ju vjen
turp? A po e ndieni peshën e krimit? Apo jeni aq të pavëmendhsëm e të
pandërgjegjshëm sa, po të kandidonte për një mandat tjetër, sërish do ta
votonit për kryetar?
No comments:
Post a Comment