Sipas ligjeve të Kosovës,
përgjegjësia primare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore bie mbi
institucionet e shtetit. Edhe në rastet kur dëmtimi i një monumenti shkaktohet
nga veprimi i individit, institucionet kanë përgjegjësi ligjore dhe penale për
veprime parandaluese dhe ndëshkuese. Ajo çka po ndodh në Qendrën Historike të
Prizrenit tash një kohë të gjatë është manifestimi më i qartë i mosinteresimit
të shtetit për t’i përmbushur këto obligime ligjore.
Tanimë po shihet që të
gjitha format e përdorura të presionit qytetar nuk po japin rezultat dhe
trashëgimia kulturore në Prizren po vazhdon të shkatërrohet me dinamikë të
shtuar. Vetëm në javën e fundit janë shkatërruar tre monumente në Prizren,
ndërsa viteve të fundit janë raportuar dhjetëra raste të dëmtimit të
trashëgimisë. Deri sot, askush nuk është ndëshkuar për këto veprime, që sipas
Kodit Penal të Kosovës paraqesin vepra të rënda penale, të dënueshme me burgim
deri në tri vite.
Nëse edhe më tutje nuk do të
ndërmerret asnjë veprim institucional, forma e fundit e veprimit mbetet padia
ndaj institucioneve të shtetit. Me heshtjen dhe mosveprimin e tyre,
institucionet e shtetit po i shkelin ligjet e Kosovës dhe me këtë po bëhen
bashkëpjesëmarrës në krimin ndaj trashëgimisë kulturore.
Forma e fundit e veprimit
për ta shpëtuar Qendrën Historike është padia ndaj bartësve të institucioneve
që janë përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, përfshirë:
Ministrin e Kulturës Kujtim Shala, Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit
Hapësinor Ferid Agani, Kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja dhe Kryeprokurorin e
Prizrenit Sylë Hoxha.
Natyrisht, bashkë me ta, do
të duhej të paditeshin edhe disa bartës tjerë institucional, pjesë e sistemit
shtetëror për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
No comments:
Post a Comment