Kisha e papërfunduar ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës
dhe fati i këtij objekti zgjojnë interesim të madh në shoqërinë kosovare.
Pothuaj secili e ka një version të vetin se si duhet vepruar me kishën, të
gjitha këto propozime me karakter të intervenimit fizik, nga rrënimi e deri te
shndërrimi i saj në hapësirë muzeale. Qëllimi i këtij shkrimi është të
argumentojë qasjen e mosndërhyrjes fizike në objektin e kishës, dhe shkon
përtej argumenteve pronësore e të dokumentacionit ligjor (leja e ndërtimit),
për ç’gjë ekziston një kontest gjyqësor në zhvillim e sipër.
Cili është identiteti urban i
Prishtinës?
Diskutimi mbi këtë kishë si rast i izoluar paraqet vazhdimësi të qasjes
parciale ndaj hapësirës publike të Prishtinës. Në gjithë këto vite të
pasluftës, debati publik – ndonëse rëndom i kufizuar – ka qenë i orientuar në
trajtimin veç e veç të rasteve mbi ndërtesat publike, sheshet, infrastrukturën,
memorialet dhe elementet tjera përbërëse të hapësirës publike. Ndër rastet më
të ndieshme të kësaj periudhe kanë qenë katedralja katolike, xhamia e re,
sheshet qendrore të qytetit, hotel Unioni, qendra historike dhe të ngjashme.
Asnjëherë deri tani, banorët e Prishtinës nuk e kanë zhvilluar diskutimin mbi
Prishtinën që ata e dëshirojnë. Pyetjet si “çfarë identiteti duhet të ketë
qytetit”, “si ndikon hapësira publike në formësimin e identiteteve
partikulare”, “cili duhet të jetë balanci mes sekulares dhe fetares në
hapësirën publike” vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qartë.
Si ilustrim, të marrim shembullin e katedrales katolike në qendër. Si u bë
që një shkolle publike, që përfaqësonte një histori të rëndësishme sociale dhe
kujtesë kolektive të qytetit, të rrënohet me aq lehtësi dhe pa kurrfarë debati
publik, për t’i krijuar hapësirë një objekti fetar. Dhe kjo nuk është e vetmja
periudhë e paqartësisë urbane në qytet. Së paku nga përfundimi i luftës së dytë
botërore, Prishtina është në transformim të përhershëm. Nga interpretimet
moderniste të periudhës së socializmit, te post-modernja e viteve të 70-ta që
synoi rikthimin e së vjetrës orientale, nga vitet e okupimit që e zhvendosi në
margjina të hapësirës publike gjithçka që nuk ishte sërbe, deri te kaosi urban
i ndërtimeve pa leje të pas vitit 1999, Prishtina me dekada është duke e
zhvilluar betejën e gjetjes së vetvetes.
Prandaj, paralelisht me diskutimet për rastet e veçanta, shoqëria ka nevojë
për një diskutim demokratik mbi identitetin e Prishtinës. Dhe, pa një vizion më
të gjerë mbi hapësirën publike të qytetit si burim identitetesh, çdo zgjidhje e
prodhuar për rastet e veçanta, si ai për kishën në kampusin e UP, rrezikon të
prodhojë pasoja degraduese.
90-tat e aparteidit në
hapësirën publike
Dekada e okupimit sërb të Kosovës nën regjimin e Millosheviçit u manifestua
edhe me zaptimin e hapësirës publike të qyteteve të Kosovës, dhe Prishtina nuk
bënte përjashtim. Ndërtimi i një objekti kishtar në hapësirën e Universitetit
të Prishtinës ishte manifestim i politikës së dominimit dhe aparteidit. Ky akt
përbënte sulm të drejtpërdrejtë në vetë qenien dhe rrugën e emancipimit të një
shoqërie, pra në sistemin e arsimit, që veç tjerash kishte edhe funksion të
rezistencës politike ndaj regjimit shtypës të Millosheviçit. Ndërtimi i kishës
ishte projekt i përbashkët i shtetit sërb dhe Kishës Ortodokse Sërbe që synonte
të ndërhyjë edhe fizikisht në sistemit arsimor të Kosovës. Nuk ka asnjë dilemë
që kjo kishë nuk ka asnjë element fetar e shpirtëror dhe kryekëput është intervenim
politik, pjesë e një ndërmarrje më të madhe të dhunës së shtetit sërb ndaj
shoqërisë kosovare.
Kujtesa dhe harresa
kolektive
Pikërisht për arsyet që u përmendën më lart, ne duhet ta ruajmë kujtesën për
këtë kishë dhe ta përcjellim tutje gjithë narracionin politik rreth saj. Ky
objekt paraqet dëshminë më të qartë fizike të një prej periudhave më të
vështira të shoqërisë tonë. Dhe është obligim i yni që narracionin që fshihet
brenda mureve të kësaj kishe t’ua bartim gjeneratave të ardhshme. Prandaj edhe
objektin duhet ta lëmë ashtu si është, të papërfunduar, të ndërprerë. Njëjtë si
projekti i dhunës politike i Sërbisë për spastrim etnik që ka mbetur i
papërfunduar, i ndërprerë. Përveç simbolikës, për t’i dhënë asaj hapësire edhe
një funksion komunitar, kopshti përreth këtij objekti mund të rregullohet dhe
të shndërrohet në një hapësirë mikpritëse për qytetarët. Gjithashtu, kisha mund
të nominohet edhe për Listën e Trashëgimisë Kultirore dhe t’i ofrohet mbrojtje
ligjore. Ta ruajmë atë si shoqëri dhe si shtet si një sajt të kujtesës (memory site), ashtu si ruhen sajtet e
Holokaustit, apo copëza të murit të Berlinit, apo të ngjashme.
Edhe ashtu, ne i kemi zhdukur pothuaj të gjitha dëshmitë dhe gjurmët fizike
të rezistencës paqësore dhe luftës së fundit. Rreziku më i madh i harresës
kolektive është mundësia për të mos nxjerrë mësime nga e kaluara shkatërruese, që
shpesh rezulton me përsëritje të së keqes. Kisha le të mbetet aty ku është dhe
ashtu si është dhe le të na shërbejë si një përkujtues i bukur dhe i shëmtuar
në të njëjtën kohë se nëpër çka kemi kaluar si shoqëri. Si përkujtues i asaj që
na kanë bërë dhe që ne nuk duhet t’ia bëjmë të tjerëve.