Kur u zgjuam një mëngjes, Kalasë iu kishin rritur muret, xhamisë së Sinan
Pashës iu ishte shtuar një pjesë përpara, kroit të Shadërvanit ia kishin vendosur
një top përmbi, muret e kupolave të Hamamit ishin veshur me një material të ri,
shtëpia e vjetër e Shaip Pashës dukej super e re. Na thanë që, të gjitha këto,
në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. I përdorën edhe disa terma
profesionalë për të treguar se çfarë teknikash e metodash kishin përdorur. E ne nuk e njohëm qytetin tonë.
Profesionistë të
trashëgimisë kulturore, pasi e keni marrë guximin të transformoni Prizrenin duke
u thirrur në kompetencën tuaj profesionale, edhe unë po e marr guximin të ju
them disa fjalë duke u thirrur... Në asgjë në fakt, vetëm po e shpreh
pakënaqësinë time me punën dhe qasjen tuaj.
1.
Para se të ndërmerrni
çfarëdo veprimi (intervenimi) në monumentet e trashëgimisë kulturore, pyetni
qytetarët për mendimet dhe vizionet e tyre. Monumentet e trashëgimisë kulturore
nuk janë lodrat tuaja personale, me të cilat mund të bëni çfarëdo që ju teket.
Sado profesionistë, ekspertë e shkencorë që të jeni.
2.
Trashëgimia kulturore është
pjesë e identitetit kulturor e shoqëror të secilit qytetar. Prandaj, para se të
ndërmerrni çfarëdo intervenimi, kini parasysh që nuk po intervenoni vetëm në
një strukturë të ndërtuar, po në vet identitetin e njerëzve. Pjesë qenësore e
këtij identieti është edhe kujtesa kolektive për qytetin, e intervenimi në
trashëgiminë kulturore është edhe sulm direkt mbi kujtesën e qytetarëve për
qytetin. Është sulm mbi mënyrën si ne duam ta njohim e kujtojmë qytetin tonë.
3.
Teknikat dhe metodat e juaja
të restaurimit, sado shkencore të jenë, nuk guxojnë të vendosen mbi njerëzoren.
Në fund të fundit, vetë shkenca ka për qëllim t’i shërbejë humanes (njerëzores)
dhe jo e kundërta. Një monument i trashëgimisë kulturore ka kuptim, esencë dhe
rëndësi vetëm nëse njerëzit që jetojnë në atë hapësirë ia japin këto atribute.
Profesionistët e trashëgimisë kulturore duhet t’i përkthejnë besimet, vlerat e
vizionet e qytetarëve në teknika e metoda të restaurimit. Monumenti ka kuptim
vetëm atëherë kur njerëzit e pranojnë, e duan dhe ndërveprojnë me të. Një
monument i restauruar me teknikat e metodat më të avancuara profesionale e
shhkencore, por që nuk pranohet nga njerëzit, nuk e meriton të konsiderohet
monument.
4.
Pjesa e intervenimit nga
profesionistët është vetëm njëri element (dhe jo kryesori) i mbrojtjes,
intervenimit dhe menaxhimit të një monumenti të trashëgimisë kulturore. E
kundërta e kësaj nënkupton zaptim të monumenteve nga profesionistët dhe shkelje
e të drejtave të njeriut. Trashëgimia kulturore është e drejtë dhe nevojë
elementare njerëzore, ndërsa profesionistët duhet të jenë në shërbim të
jetësimit të këtij parimi.
5.
Ju as nuk po i pyetni për
mënyrën e intervenimit, e as nuk po i informoni derisa po i kryeni intervenimet
në monumentet e trashëgimisë kulturore. Në fund, qytetarët po vendosen para
aktit të kryer, pa asnjë mundësi për të shprehur qëndrimet e tyre. Sado
profesionistë e shkencorë të jeni, nuk keni të drejtë të tjetërsoni identitetin
e qytetarëve pa u konsultuar me ta. Nuk guxoni t’iu impononi qytetarëve pamje
dhe realitete të reja, pa i pyetur ata. Nuk keni të drejtë t’iu sulmoni
qytetarëve kujtesën kolektive, pa e marr mendimin dhe miratimin e tyre.
6.
Nëse deri këtu, këtë reagim
jeni duke e perceptuar si subjektiv, emocional, joprofesional, apo çkado
tjetër, të provoj të flas edhe me gjuhën tuaj. Në vitin 2005, komuniteti
botëror i trashëgimisë kulturore përfundimisht e vendosi njeriun në qendër të
konceptit të trashëgimisë kulturore. Me miratimin e Konventës së Faros mbi
vlerën e trashëgimisë kulturore për shoqërinë (Këshilli i Evropës), u pranua që
ndërtesa (struktura fizike) nuk përbën esencën e trashëgimisë kulturore.
Konventa njeh interesin publik që lidhet me elemente të trashëgimisë kulturore
në pajtim me rëndësinë e tyre për shoqërinë. Rrjedhimisht, edhe teknikat dhe
metodat e juaja të restaurimit duhet të jenë në shërbim të këtij koncepti, duke
e integruar njeriun në zbatimin e tyre mbi një monument të trashëgimisë
kulturore.
7.
Konventa e Faros është shumë
e qartë kur konstaton se secili person ka të drejtë të angazhohet në
trashëgiminë kulturore. Secili person, personalisht apo kolektivisht, ka të
drejtë të përfitojë nga trashëgimia kulturore dhe të kontribuojë në pasurimin e
saj. Konventa nënvizon nevojën për të përfshirë secilin pjesëtar të shoqërisë
në procesin e vazhdueshëm të përcaktimit dhe menaxhimit të trashëgimisë
kulturore. Konventa e Faros kërkon reflektim mbi etikën dhe metodat e
intervenimit dhe bën thirrje për respektimin e shumëllojshmërisë së
interpretimeve. Pra, etika dhe jo vetëm teknikat dhe metodat profesionale.
Përfundimisht, Konventa inkurajon secilin person të marrë pjesë në procesin e
identifikimit, studimit, interpretimit, mbrojtjes, konservimit dhe prezantimit
të trashëgimisë kulturore. Prandaj, çdo intervenim në monumente pa përfshirjen
e njerëzve është shkelje e së drejtës për t’u angazhuar në trashëgiminë
kulturore.