Qytetet e Kosovës janë në transicion të përhershëm, së paku nga përfundimi
i luftës së dytë botërore. Transformimi i parë drastik i qyteteve ka ndodhur si
pjesë e projektit jugosllav. Atë kohë, e vjetra kryesisht otomane shihej si e papërshtatshme
për interpretimin ideologjik të sistemit. Si pasojë, bërthamat e qyteteve
(çarshitë, zonat historike) iu nënshtruan një procesi të retushimit fizik për
të ndërtuar “të renë”. Ndërtime të reja dhe të larta (kryesisht të stilit
modernist), skulptura universaliste, rrugë të gjëra të asfaltuara dhe të
ngjashme e rikrijuan hapësirën publike me qëllim të shlyrjes së një pjese të
kujtesës dhe ndërtimit të një rrëfimi të ri ideologjik.
Më pas, në periudhën e autonomisë u shfaqën përpjekjet e para për të kthyer
atë pjesë të sulmuar të kujtesës. Përmes planeve urbane për qendrat historike u
vendosën disa parime post-moderniste mbi trajtimin e qytetit. Për herë të parë
në Kosovë u artikulua nevoja për rikthimin ose revitalizimin e zonave historike
të qyteteve. Të gjitha këto mbetën vetëm dëshira të projektuara mbi letër, pasi
që politikisht vendi po hynte në periudhën e turbulencave të fundviteve 80.
Dekada që do të pasonte do të sillte një tjetër goditje për qytetet e Kosovës,
nën masat e dhunshme të okupimit. Luftës së viteve 98-99 që shkatërroi pjesë të
tëra të qyteteve i kishte paraprirë një periudhë e gjatë e neglizhencës totale
ndaj qyteteve, duke e sulmuar në veçanti trashëgiminë kulturore.
Dhe paslufta. Koha e administrimit ndërkombëtar dhe e instalimit të një
kleptokracie vendore, të dyja totalisht të painteresuara për t’i mbrojtur
qytetet. Një ndërhyrje e egër dhe e pamëshirshme ndaj gjithçkaje që kishte
mbetur. Ndërtime të reja e mbindërtime gjithkund dhe pa kurrfarë kriteri.
Projekte të mëdha infrastrukturore pa kurrfarë ndieshmërie ndaj mjedisit
jetësor. Rrënim i monumenteve të trashëgimisë kulturore për të krijuar hapësira
të reja komerciale. Zaptim i hapësirës publike dhe privatizimi i të gjitha të
mirave publike.
Të gjitha këto faza të transformimeve i kanë lënë qytetet tona pa
identitet. Ato janë shndërruar në prenë më të lehtë të njërës apo tjetrës elitë
politike e ekonomike. Ne përfundimisht e kemi humbur betejën për t’i shpëtuar
qytetet tona. Ndonëse elitat dallojnë njëra prej tjetrës, ajo që mbeti e njejtë
nga LIIB është heshtja dhe nënshtrimi ynë ndaj çdo intervenimi mbi qytetet
tona. Shikuar nga kohëzgjatja e fazave të deritanishme të transformimeve, i bie
që jemi diku nga fundi i fazës së fundit. Keni ndonjë prognozë, cila do të jetë
ndërhyrja e rradhës?