Profesionistëve të trashëgimisë kulturore


Kur u zgjuam një mëngjes, Kalasë iu kishin rritur muret, xhamisë së Sinan Pashës iu ishte shtuar një pjesë përpara, kroit të Shadërvanit ia kishin vendosur një top përmbi, muret e kupolave të Hamamit ishin veshur me një material të ri, shtëpia e vjetër e Shaip Pashës dukej super e re. Na thanë që, të gjitha këto, në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. I përdorën edhe disa terma profesionalë për të treguar se çfarë teknikash e metodash kishin përdorur.  E ne nuk e njohëm qytetin tonë.

Profesionistë të trashëgimisë kulturore, pasi e keni marrë guximin të transformoni Prizrenin duke u thirrur në kompetencën tuaj profesionale, edhe unë po e marr guximin të ju them disa fjalë duke u thirrur... Në asgjë në fakt, vetëm po e shpreh pakënaqësinë time me punën dhe qasjen tuaj.

1.
Para se të ndërmerrni çfarëdo veprimi (intervenimi) në monumentet e trashëgimisë kulturore, pyetni qytetarët për mendimet dhe vizionet e tyre. Monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë lodrat tuaja personale, me të cilat mund të bëni çfarëdo që ju teket. Sado profesionistë, ekspertë e shkencorë që të jeni.

2.
Trashëgimia kulturore është pjesë e identitetit kulturor e shoqëror të secilit qytetar. Prandaj, para se të ndërmerrni çfarëdo intervenimi, kini parasysh që nuk po intervenoni vetëm në një strukturë të ndërtuar, po në vet identitetin e njerëzve. Pjesë qenësore e këtij identieti është edhe kujtesa kolektive për qytetin, e intervenimi në trashëgiminë kulturore është edhe sulm direkt mbi kujtesën e qytetarëve për qytetin. Është sulm mbi mënyrën si ne duam ta njohim e kujtojmë qytetin tonë.

3.
Teknikat dhe metodat e juaja të restaurimit, sado shkencore të jenë, nuk guxojnë të vendosen mbi njerëzoren. Në fund të fundit, vetë shkenca ka për qëllim t’i shërbejë humanes (njerëzores) dhe jo e kundërta. Një monument i trashëgimisë kulturore ka kuptim, esencë dhe rëndësi vetëm nëse njerëzit që jetojnë në atë hapësirë ia japin këto atribute. Profesionistët e trashëgimisë kulturore duhet t’i përkthejnë besimet, vlerat e vizionet e qytetarëve në teknika e metoda të restaurimit. Monumenti ka kuptim vetëm atëherë kur njerëzit e pranojnë, e duan dhe ndërveprojnë me të. Një monument i restauruar me teknikat e metodat më të avancuara profesionale e shhkencore, por që nuk pranohet nga njerëzit, nuk e meriton të konsiderohet monument.

4.
Pjesa e intervenimit nga profesionistët është vetëm njëri element (dhe jo kryesori) i mbrojtjes, intervenimit dhe menaxhimit të një monumenti të trashëgimisë kulturore. E kundërta e kësaj nënkupton zaptim të monumenteve nga profesionistët dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Trashëgimia kulturore është e drejtë dhe nevojë elementare njerëzore, ndërsa profesionistët duhet të jenë në shërbim të jetësimit të këtij parimi.

5.
Ju as nuk po i pyetni për mënyrën e intervenimit, e as nuk po i informoni derisa po i kryeni intervenimet në monumentet e trashëgimisë kulturore. Në fund, qytetarët po vendosen para aktit të kryer, pa asnjë mundësi për të shprehur qëndrimet e tyre. Sado profesionistë e shkencorë të jeni, nuk keni të drejtë të tjetërsoni identitetin e qytetarëve pa u konsultuar me ta. Nuk guxoni t’iu impononi qytetarëve pamje dhe realitete të reja, pa i pyetur ata. Nuk keni të drejtë t’iu sulmoni qytetarëve kujtesën kolektive, pa e marr mendimin dhe miratimin e tyre. 

6.
Nëse deri këtu, këtë reagim jeni duke e perceptuar si subjektiv, emocional, joprofesional, apo çkado tjetër, të provoj të flas edhe me gjuhën tuaj. Në vitin 2005, komuniteti botëror i trashëgimisë kulturore përfundimisht e vendosi njeriun në qendër të konceptit të trashëgimisë kulturore. Me miratimin e Konventës së Faros mbi vlerën e trashëgimisë kulturore për shoqërinë (Këshilli i Evropës), u pranua që ndërtesa (struktura fizike) nuk përbën esencën e trashëgimisë kulturore. Konventa njeh interesin publik që lidhet me elemente të trashëgimisë kulturore në pajtim me rëndësinë e tyre për shoqërinë. Rrjedhimisht, edhe teknikat dhe metodat e juaja të restaurimit duhet të jenë në shërbim të këtij koncepti, duke e integruar njeriun në zbatimin e tyre mbi një monument të trashëgimisë kulturore.

7.
Konventa e Faros është shumë e qartë kur konstaton se secili person ka të drejtë të angazhohet në trashëgiminë kulturore. Secili person, personalisht apo kolektivisht, ka të drejtë të përfitojë nga trashëgimia kulturore dhe të kontribuojë në pasurimin e saj. Konventa nënvizon nevojën për të përfshirë secilin pjesëtar të shoqërisë në procesin e vazhdueshëm të përcaktimit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Konventa e Faros kërkon reflektim mbi etikën dhe metodat e intervenimit dhe bën thirrje për respektimin e shumëllojshmërisë së interpretimeve. Pra, etika dhe jo vetëm teknikat dhe metodat profesionale. Përfundimisht, Konventa inkurajon secilin person të marrë pjesë në procesin e identifikimit, studimit, interpretimit, mbrojtjes, konservimit dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore. Prandaj, çdo intervenim në monumente pa përfshirjen e njerëzve është shkelje e së drejtës për t’u angazhuar në trashëgiminë kulturore.

Qyteti është i të gjithëve, njëjtë edhe trashëgimia kulturore.

Dy vjet me Ligjin e Prizrenit


Nesër (më 9 korrik) Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit mbush dy vjet. Për këto dy vite janë raportuar me dhjetëra raste të ndërtimeve pa leje dhe dëmtimit të pronave të trashëgimisë kulturore. Kjo vetëm sa e ka rritur bilancin e përgjithshëm të degradimit të qytetit kur këto raste ia shtojmë atyre që kanë ekzistuar para hyrjes në fuqi të ligjit. Prizreni sot është më i shëmtuar se para një viti, më i degraduar se para dy vitesh. Në këtë përvjetor të ligjit, pyetja që vazhdon të jetë aktuale është e thjeshtë: cili ka qenë qëllimi i miratimit të këtij ligji?

Prizreni dhe ligji per qendrën e qytetit janë tregues tipik të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar. Procesi i hartimit dhe miratimit të këtij ligji janë tregim i një shtypjeje brutale të shoqërisë. Kultura e mosndëshkimit dhe mungesa totale e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit. Shoqëria në anën tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të cilave e ka njohur dhe dashuruar qytetin. Transformimi të cilin e ka pësuar qyteti na ka shndërruar në të huaj në vendin tonë. Qendra e Prizrenit sot as për afër nuk i ngjan një qendre historike. Ajo është pasqyra e degjenirimit ku kemi rrëshqitur si shoqëri e shtet.

Dy vite pas, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është asgjë më tepër se një nga ligjet e shumta që janë qëllime në vetvete, e jo mjete për zgjidhjen e problemeve. Dy vite pas miratimit të ligjit, dilemat janë të njëjta. Nëse na u imponua kaq brutalisht, pse sot nuk po zbatohet? Nëse qëllimi paskësh qenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pse qendra e qytetit po degradohet njëlloj si para miratimit? A mos ndoshta duhet të miratojmë edhe një tjetër ligj? Apo mos ndoshta duhet t’i amnistojmë të gjithë ndërtuesit ilegalë që e kanë shkatërruar qytetin?

Deri n
ë 9 korrikun e ardhshëm.