Një vit me Ligjin e Prizrenit


Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit sot mbush një vjet. Mes urimit e ngushëllimit për një vjetor, po zgjedh me e ofru një pasqyrë të gjendjes së sotme. Për ata që tashmë e kanë harruar, ligji kishte kaluar me forcë dhe imponim. Arsyetimi i imponuesve ishte se ligji do ta mbrojë trashëgiminë kulturore të qytetit. Kundërargumenti i kundërshtuesve ishte se ekzistojnë një mori ligjesh për këtë qëllim, dhe se ne na nevojitet zbatimi i ligjit dhe jo ligj i ri. Imponuesit mendonin se kundërshtarët janë kundër një bashkësie të caktuar fetare, ndërsa këta të fundit thirreshin në parimin kushtetues të sekularizmit.

Atë kohë askush nuk i dëgjoi shoqërinë civile dhe qytetarët e Prizrenit dhe ligji hyri në fuqi më 9 korrik 2012 me nënshkrimin e Presidentes. Sot, një vit më pas, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë në qendrën e Prizrenit. Jo vetëm se nuk ka veprime ndaj shkeljeve të para 9 korrikut, por edhe prej ditës së hyrjes në fuqi, ndërtimet pa leje kanë vazhduar të degradojnë qendrën si më parë. Ligji ka hyrë në fuqi, por asgjë nuk ka ndryshuar nga praktika degraduese e ndërtuesve dhe veprimet neglizhente të institucioneve. Një vit më vonë, Qendra Historike e Prizrenit duket edhe më e shëmtuar, edhe pse e ka një ligj të vetën.

Të fortit e Prizrenit dhe Kosovës vazhdojnë të ndërtojnë hotele e shtëpi private e të hapin biznese që shkelin rregullat e ndërtimit. Ata janë ligji vet dhe qendrën e qytetit ia përshtasin interesave të tyre të ngushta. Zyrtarët e komunës, sa të paaftë për t’i ndalur, në shumë raste vet janë pjesë e degradimit të qendrës. Shoqëria civile vazhdon të jetë anemike dhe e paaftë për të shkuar përtej raportimit të rasteve të shkeljeve. Në gjithë këtë rrëmujë, qendra e qytetit vazhdon të pësojë, me dinamikë të njëjtë degradimi, si para 9 korrikut të vitit të kaluar.

Prizreni dhe ligji per qendrën e qytetit janë tregues tipik të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar. Procesi i hartimit dhe miratimit të këtij ligji janë tregim i një shtypjeje brutale të shoqërisë nga shteti dhe bashkësia ndërkombëtare. Kultura e mosndëshkimit dhe mungesa totale e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit. Shoqëria në anën tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të cilave e ka njohur dhe dashuruar qytetin. Transformimi të cilin e ka pësuar qyteti na ka shndërruar në të huaj në vendin tonë. Qendra e Prizrenit sot as për afër nuk i ngjan një qendre historike. Ajo është pasqyra e degjenirimit ku kemi rrëshqitur si shoqëri e shtet.

Një vit pas, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është asgjë më tepër se një nga ligjet e shumta që janë qëllime në vetvete, e jo mjete për zgjidhjen e problemeve. Ndërsa një vit më pas, dilemat janë të shumta. Nëse na u imponua kaq brutalisht, pse sot nuk po zbatohet? Nëse qëllimi paskesh qenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pse qendra e qytetit po degradohet njëlloj si para 9 korrikut? A mos ndoshta duhet të miratojmë edhe një tjetër ligj? Apo mos ndoshta duhet t’i amnistojmë të gjithë ndërtuesit ilegal që e kanë shkatërruar qytetin?

Deri në 9 korrikun e ardhshëm.