Udhëzues për kandidatët e Prizrenit


Dhjetë pikat e domosdoshme për të qeverisur si duhet me Prizrenin. Sipas meje!

1. Struktura urbane – aktivitetet ndërtimore e kanë transformuar strukturën urbane të qytetit, duke e shndërruar në një vend të shëmtuar. Struktura urbane e qytetit është e rrezikuar skajshmërisht nga  veprimet e paligjshme dhe zhvillimi i pakontrolluar. Duhet të veprohet urgjentisht, duke i ndalur të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe duke i rrënuar të gjitha strukturat që nuk janë në pajtim me ligjin, lejet e ndërtimit dhe pëlqimet.

2. Kultura dhe turizmi – tashmë disa vite me rradhë, aktivitetet kulturore po dëshmohen si promovuese kryesore të turizmit dhe rrjedhimisht të zhvillimit ekonomik. Edhe pse buxheti institucional për kulturën është pothuaj inekzistent, iniciativa e komunitetit kulturor të qytetit është dëshmia më e mirë se me vullnet të pastër dhe punë të palodhshme mund të arrihen efekte pozitive. Duhen krijuar të gjitha kushtet  e domosdoshme (politikat, buxhetin, infrastrukturën) që kultura të sjellë sa më shumë përfitim për qytetin dhe qytetarët.

3. Qendra Historike – Prizreni posedon potencial botëror të trashëgimisë kulturore, por gjendja aktuale e Kalasë, Hamamit e shumë monumenteve tjera është e mjerë. Mungesa e investimeve, kujdesit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore janë dëshmi të mungesës së civilizimit. Kalaja, Hamami dhe një numër i madh monumentesh kanë nevojë për intervenim të menjëhershëm, ndërsa paralelisht duhet zhvilluar edhe studimet për potencialin e Prizrenit karshi UNESCO-s.

4. Shërbimet publike – qyteti po vuan për ujë të pijes, ndër të tjerash. Mohimi i ujit të pijes qytetarëve të një qyteti që gjendet mbi burimet e panumërta të ujit është sa shkelje e të drejtave të njeriut aq edhe amaterizëm i skajshëm. As edhe një ditë më shumë nuk duhet toleruar këtë gjendje, ndërsa paralelisht me ujin, qytetit duhet kthyer edhe pastërtinë, hapësirat e gjelbëruara dhe rendin publik.

5. Natyra – aktivitetit ndërtimore nuk i ka shpëtuar as trashëgimia natyrore e Prizrenit. Betonizimi i mijëra hektarë hapësirave natyrore është shkatërrim i pariparueshëm, ndërsa rasti i Prevallës është shembulli më drastik dhe i dhimbshëm i këtij zhvillimi. Duhet vendosur masa të rrepta ndalimi për aktivitetet degraduese ndaj natyrës, ndërsa Prevallën duhet trajtuar me prioritet.

6. Sporti – Prizreni e ka humbur njërin nga elementet më të forta të identitetit të vet, klubet sportive të qytetit. Liria e Bashkimi tashmë janë klube të papërfillshme, ndërsa në sportet tjera as që ka mbet ndonjë klub që përfaqëson qytetin. Prizreni ka nevojë për një strategji efektive të bashkëpunimit mes institucioneve dhe sektorit privat për t’i kthyer në konkurrencë reale klubet e qytetit.

7. Lumbardhi – nga krenaria e qytetit, lumi është shndërruar në pasqyrën e turpit. Papastërtia, kundërmimi, shtrati i parregulluar dhe të tjera janë reflektim publik i paaftësisë qytetare dhe institucionale për t’u kujdesur për Lumbardhin. Prizreni ka nevojë urgjente për një projekt serioz që do ta shpëtojë Lumbardhin, i cili fundja është arsyeja themelore pse sot ekziston qyteti.

8. Kalldrëmi – në 15 vitet e fundit, Prizreni e ka humbur karakteristikën e vet më të dukshme të të qenit qytet i vjetër. Heqja e kalldrëmit nga rrugët e qytetit ka qenë projekt vrasës ndaj vlerave dhe identitetit të qytetit. Prizreni, para se gjithash, ka nevojë të kthejë frymën dhe atmosferën e vet qytetare, e kjo duhet të fillojë me kthimin e kalldrëmit në të gjitha rrugët që dikur kanë qenë të shtruara me kubëzat magjike.

9. Arsimi dhe shëndetësia – shkollat dhe shtëpitë e shëndetit në Prizren e kanë humbur karakterin themelor të tyre, arsimimin dhe shërimin. Derisa shkollat udhëhiqen nga të emëruar dhe fanatikë partiak, shtëpitë e shëndetit janë përplot me personel që kanë probleme serioze me etikën. Të dyja grupet e institucioneve publike kanë nevojë për njerëz profesional dhe shërbime cilësore.

10. Administrata publike – trajtimi që i bëhet qytetarëve në shërbimin civil të komunës të kujton frikën që të shkaktonin policët dhe doganierët e shteteve fqinje gjatë kalimit të kufijve viteve 90-ta. Ofrimi i shërbimeve të administratës është e drejtë bazike që duhet siguruar çdo qytetari, pa vonesë, pa burrokraci dhe pa arrogancë. Administrata komunale ka nevojë për reformë të thellë personeli dhe sistemi të punës.  

Një vit me Ligjin e Prizrenit


Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit sot mbush një vjet. Mes urimit e ngushëllimit për një vjetor, po zgjedh me e ofru një pasqyrë të gjendjes së sotme. Për ata që tashmë e kanë harruar, ligji kishte kaluar me forcë dhe imponim. Arsyetimi i imponuesve ishte se ligji do ta mbrojë trashëgiminë kulturore të qytetit. Kundërargumenti i kundërshtuesve ishte se ekzistojnë një mori ligjesh për këtë qëllim, dhe se ne na nevojitet zbatimi i ligjit dhe jo ligj i ri. Imponuesit mendonin se kundërshtarët janë kundër një bashkësie të caktuar fetare, ndërsa këta të fundit thirreshin në parimin kushtetues të sekularizmit.

Atë kohë askush nuk i dëgjoi shoqërinë civile dhe qytetarët e Prizrenit dhe ligji hyri në fuqi më 9 korrik 2012 me nënshkrimin e Presidentes. Sot, një vit më pas, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë në qendrën e Prizrenit. Jo vetëm se nuk ka veprime ndaj shkeljeve të para 9 korrikut, por edhe prej ditës së hyrjes në fuqi, ndërtimet pa leje kanë vazhduar të degradojnë qendrën si më parë. Ligji ka hyrë në fuqi, por asgjë nuk ka ndryshuar nga praktika degraduese e ndërtuesve dhe veprimet neglizhente të institucioneve. Një vit më vonë, Qendra Historike e Prizrenit duket edhe më e shëmtuar, edhe pse e ka një ligj të vetën.

Të fortit e Prizrenit dhe Kosovës vazhdojnë të ndërtojnë hotele e shtëpi private e të hapin biznese që shkelin rregullat e ndërtimit. Ata janë ligji vet dhe qendrën e qytetit ia përshtasin interesave të tyre të ngushta. Zyrtarët e komunës, sa të paaftë për t’i ndalur, në shumë raste vet janë pjesë e degradimit të qendrës. Shoqëria civile vazhdon të jetë anemike dhe e paaftë për të shkuar përtej raportimit të rasteve të shkeljeve. Në gjithë këtë rrëmujë, qendra e qytetit vazhdon të pësojë, me dinamikë të njëjtë degradimi, si para 9 korrikut të vitit të kaluar.

Prizreni dhe ligji per qendrën e qytetit janë tregues tipik të një shteti të dështuar dhe të kriminalizuar. Procesi i hartimit dhe miratimit të këtij ligji janë tregim i një shtypjeje brutale të shoqërisë nga shteti dhe bashkësia ndërkombëtare. Kultura e mosndëshkimit dhe mungesa totale e llogaridhënies janë duke e ngufatur qendrën e Prizrenit. Shoqëria në anën tjetër është duke i humbur vlerën dhe identitetin përmes të cilave e ka njohur dhe dashuruar qytetin. Transformimi të cilin e ka pësuar qyteti na ka shndërruar në të huaj në vendin tonë. Qendra e Prizrenit sot as për afër nuk i ngjan një qendre historike. Ajo është pasqyra e degjenirimit ku kemi rrëshqitur si shoqëri e shtet.

Një vit pas, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk është asgjë më tepër se një nga ligjet e shumta që janë qëllime në vetvete, e jo mjete për zgjidhjen e problemeve. Ndërsa një vit më pas, dilemat janë të shumta. Nëse na u imponua kaq brutalisht, pse sot nuk po zbatohet? Nëse qëllimi paskesh qenë mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pse qendra e qytetit po degradohet njëlloj si para 9 korrikut? A mos ndoshta duhet të miratojmë edhe një tjetër ligj? Apo mos ndoshta duhet t’i amnistojmë të gjithë ndërtuesit ilegal që e kanë shkatërruar qytetin?

Deri në 9 korrikun e ardhshëm.

Shteti që e shkatërron qytetin


Përralla fillon me fjalët “Na ishte një herë një Prizren”, dhe vazhdon...

Janë rreth dhjetë institucione qendrore dhe lokale që kanë përgjegjësi direkte për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe krijimin e rendit urbanistik të qyteteve. Përgjegjësia është e ndarë në formën që e implikon secilin institucion në masë të caktuar dhe që kërkon qasje të integruar në vendimmarrje dhe ekzekutim. Ky është rrëfimi për modelin degradues të bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve, që për pasojë e ka sjellë shkatërrimin e Prizrenit. Sot, ky shkatërrim ilustrohet me cilësinë e dobët të infrastrukturës fizike, hapësirës publike dhe shërbimeve publike, si dhe me rrënimin ose dëmtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Trekëndëshi themelor i urbanizmit brenda Qendrës Historike të Prizrenit përbëhet nga Drejtoria për Urbanizëm, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria për Inspektorat. Derisa e para lëshon leje urbanistike, e dyta jep pëlqime për respektimin e parimeve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërsa Inspektoratit i mbetet që të monitorojë procesin e ndërtimit bazuar në këto dy dokumente. Ajo që ndodh realisht brenda komunës së Prizrenit është kjo: zyrtarët e urbanizmit thonë që janë në rregull me dokumentet dhe lejet e lëshuara, ndërsa përgjegjësinë për tejkalime dhe ndërtime pa leje ia hedhin Inspektoratit. Këta të fundit thirren në buxhetin e pamjaftueshëm, numrin e vogël të inspektorëve dhe sidomos (ndonëse jo publikisht) në pamundësinë për t’ia ndalë punimet ndërtuesve, të cilët shpesh i përshkruajnë si “të fortë dhe të paprekshëm”. Në gjithë këtë situatë, ai që i ka emëruar drejtorët e këtyre dikasterëve, kryetari i komunës, hesht, ndërsa e shumta, flet për kërkesat që ia ka drejtuar drejtorëve të tij për të vënë rregull urbanistik në qytet. Vetëm kaq. As Kuvendi i Komunës nuk mund të amnistohet nga kjo përgjegjësi, pasi që ky institucion e ka miratuar “Planin e Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, ndërsa asnjë herë nuk ka kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi i komunës për shkeljen me dy këmbë të këtij dokumenti.

Dimension tjetër i dështimit të shtetit është momenti kur në këtë pamje hyn gjyqësori. Drejtoria për Inspektorat ka ngjarë të ketë dërguar ndonjë kërkesë në Gjykatën për Kundërvajtje për të nisur proces gjyqësor ndaj ndërtuesve që i shpërfillin lejet e ndërtimit. Por kjo nuk ka sjellë kurrfarë rezultati, duke ia rikonfirmuar fuqinë dhe paprekshmërinë ndërtuesve. Për më tepër, Prokuroria e Qarkut (tash Themelore) ka vite që zhvillon hetime në urbanizëm, ndërsa ende nuk ka arritur të shpallë aktakuzën, edhe pse dëshmitë janë shumë të dukshme dhe shumë shpesh të raportuara nga shoqëria civile dhe mediat. Në të njëjtën kohë, inspektorët e komunës gjatë punëve të inspektimit në terren, detyrohen të kërkojnë asistencë edhe nga Policia, e cila dërgon policë për të asistuar zyrtarët komunalë, por prezenca e tyre nuk i lehtëson aspak rrethanat e inspektimit.

Niveli qendror i përgjegjësisë institucionale për të mbrojtur qytetet është edhe më problematik. Janë disa ministri që kanë rol direkt dhe obligim ligjor për të parandaluar degradimin urbanistik dhe adresuar shkeljet. Ministritë e kulturës, planifikimit hapësinor dhe pushtet lokal janë adresat kryesore në qeverinë qendrore, të mandatuara për të siguruar rend urbanistik në qytete. Ministria e Kulturës, përmes Departamentit të vet të Trashëgimisë Kulturore dhe Instituteve rajonale për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, duhet të veprojë si autoriteti më i lartë shtetëror për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në rastin e Prizrenit, kjo ministri nuk ka ndërmarr asnjë veprim konkret për të adresuar kaosin urbanistik që po ndodh në Qendrën Historike të qytetit nga viti 1999. Në anën tjetër, Ministria e Planifikimit Hapësinor vazhdon të mbetet e heshtur karshi shkeljeve të Planit Hapësinor të Kosovës dhe planeve lokale urbane në Prizren. E fundit në këtë linjë të përgjegjësisë, Ministria e Pushtetit Lokal reagon tepër rrallë dhe shumë herë me butësi të pabesueshme karshi mosrespektimit të ligjshmërisë në miratimin e akteve komunale në Prizren.   

Trashëgimia kulturore nuk i ka shpëtuar viktimizimit nga sistemi i ri i “vlerave” pas lufte, që karakterizohet me mungesë totale të llogaridhënies e përgjegjësisë dhe me kulturë të mosndëshkimit. Në një mjedis të tillë, investitorët në ndërtimtari kanë arritur që paratë e fituara në rrugë joformale t’i shpërlajnë përmes ndërtimeve të shumta, gjatë të cilit proces ata i kanë korruptuar edhe zyrtarët e pushteteve lokale të Kosovës. Esencialisht, problemi qëndron në mosndalimin dhe mosndëshkimin e veprimtarisë ekonomike joformale nga institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, është pothuaj absurde të pritet që i njëjti shtet të vendosë rregull dhe të ndalojë aktivitete degraduese ndërtimore në qendrat historike të qyteteve. Sektori i ndërtimeve në Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër më të përfolurit për keqpërdorime dhe korrupsion. Konkretisht, disa zyrtarë të komunës së Prizrenit dhe disa kompani ndërtimi janë nën hetime nga Prokuroria Themelore për parregullsi urbanistike. E njëjta gjendje vlen edhe për Prishtinën, ku disa nga zyrtarët komunalë janë të përfshirë në kaosin urbanistik që e ka kapluar kryeqytetin.

Përfundimisht, qyteti i Prizrenit është kapur nga shteti, nga institucionet shtetërore në të dy nivelet. Kjo kapje fatkeqe për Prizreni po e shpërfaq modelin e bashkëpunimit ndër-institucional për të shkatërruar qytetin. Në rastin e Prizren, thjesht, është shteti ai i cili po e shkatërron qytetin.

Rujuni prej shtetit, se me bo me ju kap...

Kur një ditë do të na del gjumi


Në rehatinë e gjumit të thellë, duke mos patur kurrfarë obligimi tjetër, po e shkruaj këtë letër për qytetarët e Prizrenit, dhe veten time. Që kur të na del gjumi një ditë, ta lexojmë së bashku. Dhe të themi: ehh.

Kur një ditë do të na del gjumi, ndjesia e parë do të jetë ajo e qytetit të huaj. Nuk do t’i njohim as lagjet ku jemi rritur, as rrugët që i kemi ecur, e kam frikë, as njerëzit me të cilët e kemi ndarë hapësirën. Ajo do të jetë dita kur do të kuptojmë se çfarë aftësie të jashtëzakonshme destruktive ka njeriu. Një aftësi kjo e krahasueshme edhe me katastrofat natyrore. Efekt i menjëhershëm i këtij transformimi do të jetë shlyerja e kujtesës tonë për qytetitn. Gjithçka do të nisë nga e para, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë ai qytet. Sikur të mos kishim ekzistuar ne kurrë.

Kur një ditë do të na del gjumi, do të shohim se si njerëz të caktuar të elitës politike, ekonomike e fetare i kanë shndërruar në lodra fëmijësh objektet të cilat ne i konsiderojmë vlera. Ato vlera me të cilat mburemi dhe i përdorim si argumente kryesore të identitetit tonë lokal kulturor. Papritmas do të kuptojmë se e gjithë retorika për “mbrojtjen” e këtyre vlerave, ka qenë vetëm lojë politike dhe mjet për manipulimin me masën. Me neve.

Kur një ditë do të na del gjumi, do të shohim se jemi shndërruar në raste studimi të universiteteve botërore. Titulli i rastit të studimit: “Si nuk duhet bërë planifikimin urban të një qyteti”. Do të kuptojmë se arkitektët e planerët urban nuk kanë qenë asgjë më tepër se shërbëtorë besnik të pushtetit dhe njerëzve të pasur. Do të kemi rrugë të gjera e ndërtesa të larta, por asgjë për të treguar e për t’u ndier krenarë. Të rrethuar dhe ngufatur nga betoni e qelqi, do ta vazhdojmë jetën të habitur se si nuk e kemi vënë re kur janë ndërtuar gjithë ato shëmtina.  

Kur një ditë do të na del gjumi, do të kuptojmë se kemi qenë në gjumë me sy të hapur. E që sytë i kemi shfrytëzuar vetëm për të parë dhe jo për të nxjerrë kuptim nga çfarë kemi parë. Në vend të dëshirës që e kemi sot për t’ia nxjerrë sytë njëri tjetrit, do të ndiejmë nevojën për t’ia nxjerrë sytë vetes. Sepse nuk do të mund të besojmë atë që po e shohim. E për ma tepër, se nuk kemi qenë në gjendje t’i shohim gjërat me kohë. Atëherë kur ato kanë ndodhur dhe ne kemi qenë në gjumë.

Kur një ditë do të na del gjumi, do të turpërohemi për fëmijët tanë. Do të shohim se si, gjatë kohës sa kemi qenë në gjumë, ata i kemi zhveshur nga identiteti dhe iu kemi vjedhur të drejtën për të shijuar vlerën. Do të kuptojmë se i kemi shndërruar në përbindësha konsumues dhe lakmues që nuk do të ketë as idenë më të vogël mbi kapitalin social, komunitetin, solidaritetin dhe humanitetin. 

Kur një ditë do të na del gjumi, edhe sa e sa gjëra të tjera do t’i zbulojmë. Por do të jetë vonë për gjithçka, sepse atëherë do të ketë ardhur koha për gjumë. Natën e mirë.

Manual – si të shkatërrojmë një qytet në pesë hapa


Hapi i parë – shlyerja e kujtesës kolektive
Shikojeni qytetin me vëmendje. Cili detaj po ju bie në sy më fuqishëm? E saktë, kalldrëmi. Nisni me shkuljen e kalldrëmit, sepse ajo është velloja e nuses shehër. Dekalldrëmizimi do të thotë deshehërizimi më flagrant që mund t’i bëni qytetit. Në vend të tij spërkatini rrugët me asfalt. Publikisht këtë ndryshim publikut ia prezantoni si modernizim. Zgjerim të rrugëve, plotësim të kërkesave të trafikut të intensifikuar, pamje evropiane, ruajtje e veturave nga amortizimi (të mjerët auto-mekanikë!). Nëse e keni realizuar shkuljen e kalldrëmit, ju e keni filluar me sukses misionin e shlyerjes së kujtesës kolektive. Mos u ndalni, keni ende shumë punë për të bërë. Shikojeni sërish qytetin, me kujdes. A po e shihni të vjetrën, antiken, demodenë, prapambeturinë? Natyrisht që po, shtëpitë e vjetra, qerpiqi, gëlqerja, qeremidet, druri. Rrënojini ato dhe në vend të tyre, vendosni tulla të kuqe, beton, hekur, qelq. Pastaj ngjyrosini me ngjyra të lloj-llojshme, të ndezta, atraktive. Ndërtoni shtëpi të reja, pallate shumë-katëshe, qendra tregtare, parkingje, e çkahmos. Tani jeni në gjysmën e rrugës për të shlyer tërësisht kujtesën kolektive. Ju pret një detaj mjaft i rëndësishëm, por edhe emocional. Mos humbni as edhe një sekondë, rrëzojini të gjitha ato përmendore, lapidare, buste, memoriale dhe simbole që e shënojnë një kohë tjetër nga koha e re. Historia e këtij vendi ka filluar para një dekade dhe kjo duhet të pasqyrohet në urbanistikë. Shpallni sa më shumë heronj të luftës, të sakrificës, të vuajtjes për liri dhe pavarësi. Shkrijini ata në bronz dhe vendosini në sheshet më të frekuentuara, pozitat më strategjike, pamjet më pitoreske. Në pikat ku qytetarët do të ballafaqohen me ta çdo ditë, sa herë që dalin nga shtëpitë e tyre. Dhe përfundimisht, përhapini narrativet e luftës dhe të historisë së re. Tregojuni qytetarëve se kujt ia kanë borxh lirinë që e shijojnë, punën që e punojnë dhe rrogën që e marrin, shkollimin që e gëzojnë fëmijët e tyre, kujdesin shëndetësor dhe social që e përfitojnë, ajrin që e thithin. E thithin!

Hapi i dytë – instalimi i administratës provinciale
Në rast se jeni duke e shkatërruar një qytet me traditë të gjatë administrative, atëherë bëni kujdes. Jeni duke u ballafaquar me një sfidë jo të lehtë dhe ky hap është qenësor drejt arritjes së synimit tuaj, prandaj jini të vendosur, të guximshëm dhe mos lëshoni pe në zbatimin e këtyre masave. Pasi që keni garuar për poste publike të qytetit dhe i keni futur nën kontroll ato, ju sugjerojmë që të mos i injoroni kulturën dhe praktikat klanore të jetesës së hapësirave prej nga vini. Ndonëse dëshironi të shkëputeni një herë e mirë nga e kaluara e juaj, mos harroni që disa elemente të asaj kulture janë shumë të vlefshme për misionin tuaj të ri. Filloni nga të afërmit, familjarët, shokët dhe pastaj zgjerojeni rrjetin, të arëfmit e të afërmve, shokët e shokëve, e kështu me rradhë. Punësojini ata në administratën e qytetit. Ju po përparoni me shumë sukses, ngase tashmë e keni bartur mentalitetin klanor të qeverisjes edhe në qeverisjen e qytetit. Mos u ndalni, sepse keni ende punë. Në rradhë janë shtëpitë e shëndetit, spitalet, shkollat, institucionet e kulturës, ndërmarrjet publike. Rrjeti juaj po zgjerohet, ju po lëshoni rrënjë të thella në të gjitha qelizat dhe poret themelore të organizimit shoqëror. Për të pëmbyllur efektshëm këtë hap të misionit tuaj, mësojini të punësuarit tuaj me praktikat efektive të kryerjes së punëve. Njoftojini ata me teknikat e favorizimeve, përfitimeve të shpejta, avancimeve, mbylljes së njërit sy, procedurave të përshpejtuara. Dhe e tërë kjo, në emër të luftimit të burokracisë dhe ngadalësisë administrative që e kemi trashëguar nga një sistem i kaluar, shumë i dëmshëm për shoqërinë tonë.

Hapi i tretë – degradimi i kapitalit social
Nëse keni mbërritur deri në hapin e tretë, jeni me fat. Tashmë jeni dëshmuar mjaft të suksesshëm në realizimin e misionit tuaj dhe ju ka mbetur vetëm edhe pak deri në fund. Si shpërblim për angazhimin dhe vendosmërinë tuaj, do ta merrni hapin e tretë. Në këtë pikë shumë të ndieshme, nuk do të lodheni edhe aq. Për ju do të veprojnë disa forca të jashtme, që janë dëshmuar mjaft të suksesshme deri tani në qindra vende të botës. E tëra që duhet të bëni është të intervenoni me disa politika publike dhe e tëra do të funksionojë për mrekulli. Prej se ka nisur historia e re e këtij vendi, kapitalizmi ka ridefinuar të gjitha dinamikat e funksionit të shoqërisë dhe qeverisjes së shtetit. Nëse jeni me fat dhe vendi juaj po përjeton manifestim të egër të kapitalizmit, është momenti i duhur për të vepruar. Filloni të aplikoni tatime të larta afariste dhe rrjepini bizneset e vogla të qytetit. Në prokurimet publike, favorizojini ato ndërmarrje që ju kanë ndihmuar t’i arrini postet publike. Natyrisht edhe ndërmarrjet e të afërmve tuaj. Kujdesuni që njerëzit tuaj lojal t’i infiltroni brenda shoqatave afariste. Me këtë do të parandaloni çdo iniciativë për të krijuar komunitet të konsoliduar afarist të qytetit. Jeni në rrugë të mbarë. Nëse i keni ndërmarrë këto veprime, me siguri jeni duke i vërejtur rivalitetet afariste, luftën e pamoralshme dhe degradimin e çdo vlere të mundshme shoqërore mes afaristëve. Shumë shpejt, këto antivlera do të përhapen edhe në sfera të tjera shoqërore. Njerëzit do të humbin besimin që e kanë tek njëri-tjetri. Nëse jeni konsistent në veprimet e juaja, shumë shpejt ata do të humbin edhe vetëbesimin. Dobësimi i lidhjeve ndër-njerëzore, shpartallimi i rrjeteve shoqërore, kultivimi i dyshimit, futja e rivaliteteve joparimore, individualizmi, janë disa nga pasojat kryesore të veprimeve tuaja.  Sa më shpejtë që të arrini në këtë gjendje, aq më efektiv do të jetë misioni juaj shkatërrues.

Hapi i katërt – arti është luks, sporti është luftë
Po ballafaqoheni me arrogancën e njerëzve të cilët pretendojnë se kanë trashëguar art e kulturë shekuj me rradhë? Mos u brengosni. Përvishuni punës dhe ndiqni me përpikmëri udhëzimet e Manualit. Arti dhe kultura janë produkte luksoze dhe njerëzit mund të mbijetojnë edhe pa to. Në një mjedis me kujtesë kolektive në shlyerje e sipër, administratë provinciale dhe kapital të degraduar social, qytetarët nuk do të kenë as kurajën më të vogël për t’u ankuar për art e kulturë. Mund të filloni me shkurtim të buxhetit të kulturës, për ta degraduar atë në nivelin afër zeros. Me ato pak mjete mund të financoni festivale folklorike, përvjetore patriotike, ndonjë koncert muzike dhe të ngjashme. Nga miqtë tuaj afarist kërkoni që të financojnë projekte të muzikës burimore shqipe dhe turbo-folk. Mos harroni që këto zhanre të muzikës t’i promovoni në të gjitha aktivitetet e juaja. Në rast se siguroni mjete për të përkrahur projekte filmike dhe teatrore, kujdesuni që ato të trajtojnë tema nga lufta dhe sakrifica për liri. Me këto veprime, përveç që do të promovoni kiçin në kulturë, ju do të kontribuoni edhe në përmbushjen e hapit të parë të këtij Manuali, shlyerjen e kujtesës kolektive. Paralelisht, sportin duhet ta shndërroni në luftë. Luftë personale mes klubeve sportive që janë nën pronësinë tuaj dhe të afërmve tuaj, si dhe luftë kolektive, ku ndeshjet e sportit i ngjajnë arenave të dyluftimeve me shtazë të egra. Duhet të kushtoni vëmendje të posaçme degradimit të klubeve, të ashtuquajtura të qytetit. Strategjia më e mirë për këtë është mosfinancimi i këtyre klubeve dhe dërgimi i tyre në liga të dyta, të treta kampionale dhe kështu me rradhë deri në shuarjen totale të tyre.

Hapi i fundit – miratoni një ligj për qytetin
Ligjet për qytetet nganjëherë dijnë të jenë të mira, produktive dhe me raste edhe zhvillimore. Prandaj, bëni kujdes. Tanimë nuk mund t’ia jepni vetes luksin e një gabimi të tillë, sepse jeni fare në fund të misionit tuaj shkatërrues. Ligji duhet të ketë një emër atraktiv, diçka sikur “ligj për qendrën historike të qytetit” dhe mundësisht të jetë i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë me përvojë shumë-vjeçare në shumë vende të botës. Duhet t’u tregoni të gjithëve se ligji i plotëson të gjitha standardet ndërkombëtare, pasi atë e kanë përpiluar ekspertët e huaj në bazë të modeleve të stëraplikuara botërore. Mos u brengosni për kërkesat e komunitetit vendor për të qenë pjesë e procesit të hartimit të ligjit. Mundësisht kujdesuni që ligji të krijojë realitete të reja vendimmarrëse brenda qytetit, psh. duke e fuqizuar një komunitet të caktuar fetar dhe duke i dhënë të drejtën e vetos mbi gjithçka që mund të zhvillohet në qendrën e qytetit. Brenda ligjit, futni bariera të shumta procedurale, burrokratike, administrative. Dhe me këtë ngushtojeni deri në ngufatje hapësirën e veprimtarive afariste, kulturore, rinore, sportive dhe të tjera. Parashihni ndëshkime të mëdha për të gjithë ata që veprojnë kundër dhe krijoni mundësi korruptimi brenda instancave të reja të vendimmarrjes. Një gabim që nuk duhet të bëni asesi është aspekti zhvillimor. Ligji mund të përmbajë vetëm një nen të zbehtë ku përmendet fjala “zhvillim”, por asgjë konkrete. E keni përfunduar me sukses hapin e pestë dhe të fundit të Manualit? Përgëzime! Misionin e keni përmbyllur me sukses. Për të verifikuar efektet, mund të dilni dhe të shëtisni nëpër qytet. Gjithçka do të jetë ashtu si e keni paramenduar. Prej këtij momenti, mund të shijoni shkatërrimin e arritur dhe të vjelni frytet e investimeve, përpjekjeve dhe sakrificave të juaja të deritanishme.   

Lexues i dashtun kosovar, nëse ende po pyetesh se për cilin qytet është fjala, më vjen keq të të them, por qenke i verbër. Dhe për fat të keq, verbëria jote është parakusht themelor që Manuali për shkatërrimin e qytetit të funksionojë për mrekulli.   

Me e vra nji qytet


Me e lexu Bekim Fehmiun se si e përshkrun Prizrenin, mendon që ashtu tu fol për nji tjetër vend. Për nji parajsë në tokë, që asnji herë nuk të ka shku mendja se ekziston. Përshkrimi i tij për qytetin asht nji rizbulim i qytetit edhe për vet prizrenlitë. Të ishte gjallë sot me e pa si po ia vrasin qytetin, nashta edhe nuk kish me reagu fare. Ai ka dit me e shiju çdo detaj (edhe ato ma të voglat e të pavërejtshmet) të qytetit, çdo veprim që lidhet me qytetin. Jam i bindun që kish me e shiju edhe vrasjen e Prizrenit. Se Prizreni nuk asht i bukur për natyrën dhe objektet e tij, por për mënyrën si jetohet dhe përjetohet si qytet. E të tillë, që dinë të përjetojnë qytetin janë të paktë, ndërsa Bekimi ka qenë njani prej tyre.

Qytetit ia kanë shkru nji ligj, me pretekst mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Të tanë po thirren në njifarë Pakoje, e në fakt po e shkelin me dy kambë. Përmes këtij ligji po e shpikin njifarë Komiteti që ka me e menaxhu qendrën historike të qytetit. Brenda atij komiteti dojnë me i fut kishën e xhaminë, e kshtu po e shkelin laicitetin e shtetit. Qendrën historike po e shndërrojnë në njësi administrative, e kshtu po i shkelin standardet ndërkombëtare të trashëgimisë. Ligjin po e shkrujnë pa i pyt prizrenlitë, e kshtu po i shkelin parimet e demokracisë. Objekteve fetare të qytetit po ia shtojnë dimensionin etnik, e kshtu po e rrezikojnë tolerancën fetare. Po imponojnë ndalesa, pengesa e burrokraci, e kshtu po e ngufasin zhvillimin ekonomik. Po bajnë nji lloj transplantimi të organeve, pa pas kurrfarë nevoje. Qytetit po ia hjekin zemrën e shnoshë, e në atë vend po e vendosin zorrën qorre. Po e dënojnë me vdekje, pa e pas as edhe fajin ma te vogël. Nuk po e ekzekutojnë, ama po ia kufizojnë jetën për aq sa zorra qorre mundet me e kry funksionin e zemrës. Qytetin po e vrajnë pa e kry aktin konkret të vrasjes, por duke ia kriju të tana kushtet për me vdek kadal dale. Mjeshtërisht!

Vrasësit kanë emna e mbiemna. Hala ma keq, kanë edhe funksione të nalta publike në nivel qyteti e shteti. Të tanë janë ba bashkë, që akti i vrasjes me qenë ma efektiv. Që mos me pas kurrfarë gjase shpëtimi. Ata janë të shtymë, apo siç e qujnë vetë – të këshillum – prej do ndërkombëtarëve që bajnë karrierë personale në kurriz të qeverisjes në Kosovë. Nuk janë aspak të vetëdijshëm për damin që do t’ja lënë shoqnisë në të ardhmen. Nëse janë, kjo asht ende ma e tmerrshme. Në anën tjetër, nji shoqni e tanë asht pozicionu kundër nji ligji të tillë, e atyne nuk iu bahet vonë. Për ma tepër, këta nuk e kanë idenë se ç’domethanë qendër historike e qytetit. Mendojnë se ajo asht nji zonë e caktume brenda qytetit, ku gjenden do objekte me vlera. Urbanisti Alexandre Melissinos ka argumentu se qyteti asht qendra historike e tij. Qendrat historike përbajnë diku prej 1 deri 1.5 përqind të hapsinës së qyteteve evropiane. Ai mendon se pjesa tjetër prej rreth 99 përqind i takon pjesës së urbanizume dhe jo asaj të qytetit. Prandaj, qytetet janë të rralla, sinjfikante dhe të pazavendësushme dhe ato kualifikohen si monumente dhe duhet të trajtohen dhe mbrohen si të tillë. Duke e votu nji ligj vrasës për qendrën historike, kanë me e vra një qytet dhe jo vetëm nji zonë të caktume të tij.   

Për me iu kthy substancës së këtij ligji – trashëgimisë kulturore – duhet me e vnu theksin te nji element që sistematikisht injorohet – impakti i trashëgimisë kulturore mbi shoqninë. Ekspertja e trashëgimisë kulturore Kate Clark ka fol për trashëgiminë si bazament i shumëfishtë identitetesh. Ajo argumenton se trashëgimia ndikon në përfshirjen shoqnore, kohezionin shoqnor, qytetarinë demokratike, cilësinë e jetës dhe regjenerimin e qëndrueshëm. Fenomeni që Clark e observon në Evropën e sotme asht roli në rritje i trashëgimisë kulturore, e cila rëndom ka qenë burim i unitetit kombëtar që ka rrjedh nga mburrja me arkitekturë, monumente ose arritje të mahnitshme. Ajo argumenton se sot trashëgimia kulturore perceptohet si nji fenomen ma i gjanë, i cili kontribuon në ideale politike, prosperitet ekonomik, kohezion shoqnor dhe diversitet kulturor.

Si pasojë e ndryshimit të filozofisë së trashëgimisë, Këshilli i Evropës ka miratu një Konventë mbi vlerën e trashëgimisë kulturore për shoqninë (e njoftun si Konventa e Faros). Ky asht moment i thymjes së doktrinës elitiste mbi trashëgiminë dhe i artikulimit të trashëgimisë si e drejtë e njeriut, që promovon një qasje ma të gjanë ndaj trashëgimisë dhe raportit të tij me komunitetin, shoqninë dhe shtetin. Trashëgimia nuk asht vetëm e kalumja, ajo qenësisht asht e sotmja dhe e ardhmja. Nji tjetër ekspert i trashëgimisë kulturore Robert Palmer ka argumentu se trashëgimia që asht e shkëputun nga jeta e përditshme e qytetarëve ka vlerë të kufzume dhe se trashëgimia pëson atrofi në mungesë të përfshirjes dhe përkrahjes qytetare. Andaj, ai sugjeron që proceset e trashëgimisë të shkojnë tutje preokupimit të ekspertëve dhe burrokratëve qeveritarë dhe të përfshijnë publikun e qytetit, lagjes dhe fshatit. Fundja, edhe Konventa e Faros na mëson që objektet dhe vendet nuk janë, në vetvete, ato që i japin vlerë e randësi trashëgimisë kulturore, por janë të randësishme për shkak të kuptimit që njerëzit iu japin dhe vlerat që ato përfaqësojnë.  

Tu e ba nji ligj që do ta shkëpus trashëgiminë kulturore nga qytetarët, vendimmarrësit kanë me e hap rrugën e atrofisë së trashëgimisë. Rrjedhimisht, kanë me e shkatërru amanetin që e kemi për obligim me ia lanë brezave të ardhshëm. Qendrën historike kanë me e transformu në nji pazar politik, ku nacionalizmi etnik dhe ekstremizmi fetar kanë me gjet hapsinë fertile veprimi e zhvillimi. Krejt kjo duke u thirr në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e duke mos e njoft nji standard themelor ndërkombëtar, që qëllimi kryesor i mbrojtjes së qendrave historike asht mirëmbajtja dhe zhvillimi i modeleve të referencës për të shprehur dhe konsoliduar qytetarinë.

E tanë kjo nuk ka tjetër emën, pos vrasje e një qyteti.

Shiu demaskues


Ose asfalti që prodhon baltë

Të studiosh natyrën dhe të kuptosh dinamikat e ndërveprimit të përbërësve të saj është aventurë shumë atraktive. Interpretimi i fenomeve natyrore dhe parashikimi i pasojave të tyre është pastaj një aventurë tjetër, madje mjaft e rrezikshme. Historia njerëzore e studimit shkencor, në afro 99 përqind të vëllimit të saj është plot me gabime, pasaktësi, dështime, jovaliditet. Shumica me pasoja fatale, për njerëzimin dhe vetë natyrën. As shkenca moderne nuk ka shënuar ndonjë përparim substancial në përmirësimin e saktësisë së intepretimit të fenomeneve, e aq më pak në parashikimin e tyre. Hakmarrja ekologjike, që veç sa ka filluar, është dëshmia më e mirë. Por, këtu nuk do të merrem me hakmarrjen e natyrës. E vetmja që mund të them për këtë fenomen është se jemi duke e paguar çmimin e paaftësisë sonë për ta kuptuar natyrën.

Sot në hulumtimin dhe studimin social flitet për variablat. Për mënyrën se si variabli i pavarur (rëndom manipulim i natyrës) ndikon në variablin e varur. Deshifrimi i realitetit është sa i komplikuar (dhe kurrë qind për qind i saktë), aq edhe konfuzues dhe shpesh jashtë logjikës sonë. Jologjik sidomos në ndërlidhjen mes variablit të pavarur dhe atij të varur. Kjo ngase aftësia manipulative e natyrës është mija vite larg aftësive mendore të njeriut për deshifrim dhe interpretim të fenomeneve që ndodhin brenda saj. Raporti shkak-pasojë, si rrjedhojë, reduktohet në domenin e aftësive tona kognitive dhe analitike dhe nuk është asgjë më shumë se ushtrim intelektual shumë relativ. Gjithsesi, i pamjaftueshëm, jo i plotë, lehtësisht i sfidueshëm, i cënueshëm. Madje edhe i rrezikshëm nëse ushtrimi zgjatet deri në parashikimin e pasojave.

Megjithatë, po i futem kësaj avanture. Sot, qytetin e gjeta në një gjendje të çuditshme dhe mendoj që e kam një interpretim për ndërveprimin e variablave. Kur dola nga banesa, vërejta një shtresë balte mbi asfalt. Këtë ma konfirmoi ndjesia e të ecurit mbi asfalt, ajo që e kemi kur ecim mbi dheun e lagur (kur na duket që këpucët po na ngjitet për tokë). Nuk binte shi. Taksisti që më voziti deri në punë, më njoftoi se herët në mëngjes kishte rënë shi, që kishte zgjatur për nja gjysmë ore. Dhe jo kushedi çfarë shiu.

Shiu, të cilin në këtë rast po e shoh si variabël të pavarur (manipulim i natyrës), kishte ndikuar në shfaqjen e një niveli të konsiderueshëm balte mbi rrugët e qytetit (variabli i varur). Dhe rrëfimi nuk mbaron këtu. Në fakt, në këtë pikë fillon analiza, dhe si pasojë, në rastin tonë, demaskimi. Gjysmë ore shi, mjafton për të kuptuar si qeveriset ky vend dhe çfarë cilësie jete kanë qytetarët e këtij vendi.

Si skuqja e përnjëhershme e ballit që e demaskon fajësinë e njeriut.
Si një fjalë e fëmijës e thënë në prani të mysafirëve që e demaskon lidhjen mes prindërve.
Si zgjdhjet në Drenicë që e demaskuan pushtetin e korruptuar të PDK-së.
Si gjinjtë e ekspozuar të femrës që e demaskojnë grykësinë e mashkullit.
Si këshilla e nënës dhënë vajzës, për tu kthyer te shtëpia e burrit me çdo kusht që e demaskon prapambeturinë e saj.
Si ngarendja e politikanit pas manekenes që e demaskon kompleksin e tij të rinisë së pajetuar dhe provinciale.
Si vrasja e vëllait për ndarje pronash që e demaskon brishtësinë e humanitetit tonë.
Si letra e Kafkës për babain që e demaskon dëshirën e fshehtë të çdo babai për ta mbytur të birin.
Si vajtimi “qysh më la vetëm” për anëtarin e vdekur të familjes që e demaskon egoizmin tonë.

Si shiu i Shkodrës që e demaskoi brishtësinë e shtetit që vitin e ardhshëm mbush plot njëqind vjet. E derisa tek ne (nuk) do të arrihen nivelet shkodrane të katastrofës, ngushëllim mbetet balta e asfaltit. Shuj se ka edhe ma keq. Ose: edhe ky interpretim i imi do të futet në 99 përqindshin e produkteve të pasakta mendore të njeriut për të kuptuar natyrën dhe lojën e saj me neve.